Testimi për Mjekësinë, maturantët: Provim mesatar. S’e kemi vendosur akoma për ta firmosur kontratën me shtetin

Këtë të hënë nisi dhe testimi për maturantët që duan të ndjekin studimet në “Mjekësi”, i cili do të vijojë deri në 23 gusht.

Testi i zhvilluar në kompjuter përbëhej nga 50 pyetje në Biologji, Kimi dhe Fizikë ndërsa pikët i morën menjëherë. Pas përgjigjeve e cilësuan si provim relativisht normal por nuk munguan ankesa për gabime në vlerësim.

“Ishte pak i vështirë, të paktën unë kam gjetur një pyetje që mendoj se nuk ishte siç duhet, disa ishin formuluar “çka”, por më duket se një e kishin zgjedhur të gabuar”, thotë një studente.

“Të alternuara, po. 50 pyetje ishin në total, të gjitha me alternativa, por mesatare”, thotë një tjetër studente.

“U desh pak më shumë kohë, të paktë 15 – 20 minuta më shumë duhej”, tha studenti.   

Punësimi i detyruar për 5 vite pas studimit ose pagesa e tarifës vazhdon ta shikojnë me shqetësim.

“S’e kam vendosur akoma për ta firmosur kontratën”, thotë studenti.

“Këtë nuk e di tamam as unë. Jam duke e menduar, thjesht më vjen shumë gjynah sepse e kam shumë pasion mjekësinë. Dua me të vërtetë të futem, prandaj po bëj dhe këto procedurat për të bërë testin”, thotë studentja.

Për prindërit kushti është abuzim.

“Dëgjo, ne e kemi shumë qejf Mjekësinë, dhe kur e ke pasion një gjë detyrohesh ta firmosësh”, thekson një prind.

Nga 1813 maturantë që kanë aplikuar do të përzgjidhen rreth 400 fitues. Ndërkohë që janë edhe kuotat për studentë nga diaspora duke e cuar numrin e pranimeve në 464.