Nordikët nën ujë, iberikët “digjen”, ekstremet e motit shkaktojnë probleme në disa vende të Europës
Europa veriore po përballet me stuhi, ndërsa Gadishulli iberik po digjet nga temperaturat e larta! Ekstremet e motit kanë shkaktuar problematika dhe kanë detyruar mijëra njerëz të braktisin shtëpitë.
Qindra njerëz janë detyruar të braktisin banesat e tyre në zona të ndryshme të Norvegjisë pasi vendi është përfshirë nga moti i keq që ka shkaktuar rrëshqitje dherash! Fshatra janë përmbytur, ndërsa rrugë janë dëmtuar.
Stuhia "Hans", goditi Suedinë të dielën dhe më pas Norvegjinë të hënën, duke prekur gjithashtu pjesë të Danimarkës dhe Finlandës. Sipas mediave, shërbimet kryesore të transportit rrugor janë ndërprerë ndërsda erërat e forta kanë rrëzuar linjat e energjisë elektrike. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati duke përmbytur banesa dhe plagosur qytetarë.
Mot i keq ka përfshirë edhe rajone të Italisë, ndërsa Sllovenia vazhdon të përballet me pasojat e përmbytjeve masive të pak ditëve më parë! Ndërsa një pjesë e europës është nën ujë, gadishulli Iberik po digjet nga temperaturat ekstreme.
Më shumë se një mijë zjarrfikës po luftojnë për shuarjen e flakëve në një seri vatrash që kanë përfshirë Portugalinë ditët e fundit ndërsa temperaturat në gadishullin Iberik po I kalojnë 40 gradë Celsius.
Tre zjarre të mëdha shpërthyen në Portugali të martën, me më të madhin në jugperëndim pranë qytetit të Odemira, ku të hënën rreth 1,400 njerëz u evakuuan nga fshatrat.
Siaps Shërbimit të Mbrojtjes Civile, 320 autobote dhe 9 avionë u angazhuan për shuarjen e flakëve që nisën të martën dhe që kanë përfshirë rreth 7 mijë hektarë.
Ndërsa në Spanjë zyrtarët thanë se tre zjarre që filluan gjatë fundjavës janë vënë nën kontroll ndërsa janë avakuar rreth 150 persona.




