Nuk ka pakt për Amazonën, 8 shtetet rreth “mushkërisë së botës” nuk arrijnë marrëveshje
Tetë shtetet ku shtrihet Amazona dështuan të arrijnë një marrëveshje me objektiva të qarta kundër shpyllëzimit të mushkërisë së Botës! Në një deklaratë të përbashkët, ata lajmëruan një aleancë për të luftuar shpyllëzimin, por duke lënë cdo vend të lirë të ndjekë politikat e veta me qëllim ruajtjen e pyllit Tropikal.
Tetë vendet që ndajnë pellgun e Amazonës dështuan të bien dakord në një objektiv të përbashkët kundër shpyllëzimit të zonës që njihet si mushëria e planetit tokë! Ata ranë dakord për një listë politikash dhe masash të unifikuara për të forcuar bashkëpunimin rajonal në pyllin tropikal, por nuk arritën të bien dakord për një qëllim të përbashkët për t'i dhënë fund fenomenit shqetësues.
Rreth 60% e Amazonës shtrihet në Brazil ndërsa vendet e tjera që ndajnë sipërfaqen e saj janë Bolivia, Kolumbia, Ekuador, Guajana, Peruja, Surinami dhe Venezuela. Sipas qeverisë së Brazilit, shpyllëzimi ka shënuar një rënie me 33.6 % në 6 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë 2022, megjithatë mijëra km katrorë vijojnë të zhvishen nga pemët cdo vit.
Samiti u hap në të njëjtën ditë kur paneli i Bashkimit Evropian konfirmoi se korriku ka qenë muaji më i nxehtë i regjistruar në botë, teksa ruajtja e Amazonës është një pjesë qendrore e përpjekjeve për të trajtuar ndryshimet klimatike. Miliarda pemët që përbëjnë Amazonën mbajnë sasi të mëdha karboni, të akumuluar gjatë shekujve, dhe çdo vit gjethet e tyre vazhdojnë të thithin dioksid karboni që përndryshe do të mbetej në atmosferë dhe do të kontribuonte në rritjen e temperaturave globale.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve


