Gjermania zgjat vendosjen e raketave "Patriot" në Poloni
Qeveria gjermane do të zgjasë vendosjen e përkohshme aktuale të baterive të raketave “Patriot” në Poloninë fqinje deri në fund të këtij viti, tha Ministria e Mbrojtjes në Berlin.
“Patriot” po japin një kontribut të çmuar për mbrojtjen e popullsisë civile dhe zonës sonë të aleancës në krahun lindor si pjesë e sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore të NATO-s”, tha ministria në një deklaratë.
Tri skuadrile gjermane “Patriot” janë vendosur në Zamość në Poloninë juglindore që nga janari për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit.
Qyteti nuk është shumë larg kufirit me Ukrainën. Sistemet “Patriot” fillimisht supozohej të vendoseshin atje për maksimumi gjashtë muaj.
Në një takim me ministrin gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius në fillim të korrikut, homologu i tij polak, Mariusz Błaszczak shprehu kërkesën për zgjatjen e stacionimit te tyre.
“Kërkesa për zgjatje parashikon nevojat e sigurisë së Varshavës”, tha Pistorius. Sipas ministrisë, megjithatë nuk është planifikuar një zgjatje përtej këtij viti.


