Turistët, jo “Robinson Crusoe”, aventurat pa shoqërues në zona të panjohura mbartin rreziqe
Disa turistë janë kanë rrezikuar jetën këtë verë duke eksploruar natyrën e Shqipërisë. Ekspertët këshillojnë që udhëtime të tilla të bëhen me guida profesionistë ose banorë që njohin mirë vendin
Dëshira për të zbuluar të vetëm bukuritë e Shqipërisë shpesh herë i ka vënë në rrezik turistët kryesisht të huaj, ndërsa në disa raste aventurat kanë përfunduar në tragjedi.
Rasti më i fundit u shënua të premten kur një italiane u shpëtua pasi mbeti e bllokuar pa ujë e ushqime për tre ditë në një shpellë në Karaburun.
Olger Berberi, i cili ushtron me licencë shërbimin e udhërrëfyesit për turistët, thekson se mos njohja e terrenit i bën udhëtimet të rrezikshme.
Turistët e huaj në masë u besojnë aplikacioneve ose hartave, por ekspertët thonë se kjo është e pamjaftueshme.
Eksplorimi i Bjeshkëve e Alpeve në Veri dhe kanioneve të lumenjve e gadishullit të Karaburunit në Jug vlerësohen më të rrezikshme për turistët që nuk i njohin zonat.
Ndaj ekspertët sugjerojnë që për udhëtime të sigurta gjithmonë u duhet besuar guidave të specializuara ose banorëve vendas.
