Kultivimi i kanabisit në Zall Herr, Ish-shefi i Shtabit të FA-së: Rast i paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar
Ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi reagoi sot pas lajmit për kultivimin e kanabisit në repartin ushtarak të Zall Herrit.
“Si ish Shef i Shtabit të forcave të Armatosura, shpreh keqardhjen e thellë për atë çfarë ka ndodhur në repartin e elitës ushtarake të Zall Herrit, të cilin kam patur nderin dhe përgjegjësinë ta drejtoj për një kohë të gjatë”, u shpreh Gjunkshi.
“Së pari më lejoni që në respekt dhe në nderim të uniformës së shenjtë të ushtarakut, të ndajmë qartësisht dhe pa propagandë partiake, integritetin dhe profesionalizmin e lartë të Forcave të Armatosura nga interesat e ngushta të disa personave që duan të përfitojnë nga avantazhet e detyrës”, theksoi ai.
“Së dyti, duke vlerësuar ndërhyrjen e policisë dhe reagimin e Ministrisë së mbrojtjes, mendoj se standardet e sigurisë në repartet ushtarake, duhen zbatuar në mënyrë rreptësisht rigoroze pasi në një vend anëtar të NATO-s nuk mund të tolerohet një shkelje kaq e rëndë ligjore dhe ushtarake. E paprecedentë që pjesë të influencave të trafikut të lëndëve narkotike të prekin territoret e reparteve ushtarake pasi, kjo situatë cenon rëndë pozitën dhe standardet e sistemit të mbrojtjes së Shqipërisë para aleatëve të NATO-s”, nënvizoi Gjunkshi.
“Ky rast i paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar duhet t’i nënshtrohet një analize të thellë të strukturave drejtuese të mbrojtjes dhe funksionarëve të sigurisë për një analizë dhe marrje masash të menjëhershme që situata të tilla të mos përsëriten më”, përfundoi Gjunkshi.
