U hoq si kryebashkiaku i Vlorës, si tentoi Florian Gjergji t’i marrë 35 mijë euro biznesmenit të njohur

Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim 1 tjetër të cilët akuzohen për mashtrim. Sipas burimeve Florian Gjergji kishte kontaktuar me biznesmenin e hidrosanitareve ku i është prezantuar si kryetari i bashkisë Vlorë. Ata kanë komunikuar dhe kanë lënë kontakt për tu takuar në një qendër tregtare ku do të behej dorëzimi I parave. Sapo tre personat e arrestuar kanë marrë paratë ka ndërhyrë policia duke kryer arrestimin e tyre

“Jam Ermal Dredha dhe më duhen 35 mijë euro” ky ishte mesazhi i dërguar në rrjetin Telegram biznesmenit të hidrosanitarëve Geront Cela nga Florian Gjergji i cili u shpall në kërkim nga Policia.

Ky i fundit rezulton se ka mashtruar shumë biznesmen të njohur duke iu prezantuar si zyrtarë të lartë shtetërore ose në polici.

Sipas informacioneve pasi Florian Gjergji ka arritur të bisedojë më biznesmenin Cela kanë lënë një takim më qëllim marrjen e parave.

Ky takim është caktuar në një qendër tregtare ku përveç biznesmenit në atë ambient ishin dhe oficere civilë të cilët ishin në dijeni të këtij fakti.

Për të marrë paratë kanë shkuar Afrim Radici, Gezim Çelanji dhe Qazim Vata. Sapo biznesmeni ua ka dorëzuar paratë në atë moment ka ndërhyrë policia duke arrestuar 3 personat në fjalë.

Pas marrjes në pyetje dhe pas sigurimit të aparateve celularë është provuar se mbrapa kësaj skeme qëndron pikërisht Florian Gjergji.

Nga verifikimet e policisë rezulton se Gjergji është shpallur në kërkim për të njëjtën skemë, në operacion e koduar Telegram, ku u arrestuan Bedri dhe Albert Vodha.

Këta dy të fundit kishin shkuar për t’i marrë një biznesmeni shumën prej 100 mijë euro, me pretendimin se i kishte dërguar kryetari I bashkisë së Tiranës, por pas mesazhit në të vërtetë fshihej pikërisht Florian Gjergji.