Stina e kanabisit/ Asgjësohen në Shkodër, Mirditë dhe në Tropojë 4165 bimë narkotike

Muajt qershor dhe korrik duket se do të kenë rekord të bimëve narkotike të zbuluara. Vetëm këtë të hënë janë zbuluar rreth 4200 rrënjë kanabis kryesisht të kultivuara në male dhe në zonën e Shkodrës, mirditës dhe Tropojës.

Më konkretisht në operacionin “Alpe të pastra” u asgjësuan 3295 bimë narkotike të gjetura në disa fshatra, në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Pukë.

Ndërsa në Mirditë përmes nismës së koduar "Imazhi" u asgjësuan 513 bimë. Më tej në Lekbibaj në Bjeshkët e Nemuna u dogjën 357 bimë.

Në deklaratën për mediat thuhet se për rastin e fundit është proceduar penalisht përgjegjësi i shërbimit pyjor.

Janë mbi 200 efektivë të policisë që janë angazhuar në kontrollin e territorit në të gjithë vendin. Ndërsa një numër i konsiderueshëm dronësh janë vënë në dispozicion të tyre për monitorim në territore të vështira.

Sipas të dhënave nga operacionet e zhvilluara janë kapur rreth 30 mijë rrënjë, të cilat nëse do të kishin dalë në treg do të kapnin vlerë të miliona eurove.