Kandidatët për ambasadorë në Kosovë dhe Serbi optimistë për zgjidhjen e situatës në Komisionin e Jashtëm

Në kulmin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe Prishtinës me Tiranën, në Komisionin e Jashtëm parlamentar raportuan emrat e rinj për ambasadorë të Shqipërisë në dy vendet përkatëse.

Petrit Malaj, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, prezantoi përpara anëtarëve të Komisionit vizionin dhe qëllimet e tij në lidhje me detyrën për të cilën kandidon.

Malaj u shpreh se ndjen peshën e përgjegjësisë më të madhe përballë kësaj sfide ndërsa nënvizoi se kjo sfidë do të përmbushet me nder.

“Do të jem përfaqësues i të gjithëve pa asnjë dallim. Marrëdhënien vëllazërore Shqipëri-Kosovë do ta çoj në një nivel tjetër. Do të punoj që bashkëpunimi në nivel ekspertësh të jetë në vazhdimësi për të sjellë zgjidhje të qëndrueshme për çështje me interes të përbashkët. Bashkëpunimi me Kosovën është jetik. Procesi i Berlinit ofroi një mundësi të mirë që Kosova të jetë e barabartë. Do të jem katalizator i zhvillimit të mëtejshëm për bashkëpunim në arsim, art e kulturë. Bashkëpunimi në fushën e arsimit përfshin projekte të përbashkëta kërkimore. Tre çështje të rëndësishme janë bashkëpunimi për nismat rajonale, integrimi dhe bashkëpunimi në NATO. Rëndësi ka bashkëpunimi ekonomik-tregtar, marrëdhëniet janë në rritje. Ndër qëllimet e mia do jetë promovimi i marrëdhënieve”, u shpreh Malaj.

I pyetur nga deputetët për situtën e tensionuar me Serbinë në veri të Kosovës por edhe marrëdhënien me Shqipërinë, Malaj theksoi se do të bëjë të pamundurën për vendime të përbashkëta në dobi të dy popujve.

Më tej Komisioni për Politikën e Jashtme vijoi seancën dëgjimore me Qirjako Qirko, kandidat për ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Hungarisë.

Kandidatët për ambasadorë në Kosovë dhe Serbi

Qirko, gjatë fjalës së tij nënvizoi se, Hungaria ka bërë pjesë në atë grup shtetesh që ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e vendit tonë dhe se do bëjë të gjitha përpjekjet për të përfituar nga përvoja hungareze lidhur me integrimin europian.

“Bashkëpunimi ndër-parlamentar ka një rëndësi të veçantë. Krijimi i grupeve të miqësisë është me shumë vlerë. Shkëmbimi i vizitave dhe kontakteve të drejtpërdrejta të komisioneve parlamentare të të dy vendeve. Diplomacia efektive duhet të jetë në shërbim edhe të ekonomisë. Në tregun shqiptar operojnë 54 kompani hungareze. Prania e disa kompanive hungareze përbën garanci edhe për kompanitë e tjera. Fusha e turizmit është një tjetër drejtim ku unë do të fokusohem. Prezantimi i ofertës turistike shqiptare dhe investimet në turizëm do të jenë ndër angazhimet e mia prioritare. Synimi im do të jetë edhe bashkëpunimi në arsim për qendra kërkimore”, tha Qirko.

Dëgjesa e fundit në Komisionin e Politikës së Jashtme u zhvillua me Bardhyl Canaj, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Serbisë.

Canaj, nënvizoi se, do të angazhohet të kontribuojë në përparimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në veçanti për shmangien e problematikave.