Balla mbledh Ministrinë: Një orë e më parë arrestoni Rexhep Rrajën, çdo deputet që ndërhyn, sillmani mua
Dy ditë pasi hyri në Ministrinë e Brendshme, ministri i ri Taulant Balla ka mbledhur drejtuesit e institucionit që ai drejton.
Teksa foli për impulse të reja në këtë ministri, Taulant Balla shpalosi vizionin e tij për punën e re duke i kërkuar atyre që të mos intimidohen ndaj asnjë deputeti apo funksionari të shtetit.
Balla deklaroi se kërkesa e parë ndaj drejtuesit të Policisë së Shtetit ka qenë arrestimi i vëllait dhe djalit të ish-deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, të cilin siç tha vetë Balla, e ka mik.
Ai kritikoi policinë pse ende nuk kanë arrestuar djalin dhe vëllain e ish deputetit socialist Rrahman Rraja, të shpallur në kërkim pas dhunës në drejtim të dy kushërinjve Maja në Borizanë.
“Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte ndalimi sa më pare i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja. Ai me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht. Po ndërkohë Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë.
Një orë e më parë! Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë, ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja e autorëve të saj. Sepse ajo skenë flet për një situatë të majisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxori dështimin e atij komisariati në sipërfaqe.
Sot sapo kanë marrë emërimet drejtuesit e rinj aty. Por shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe nuk janë vetëm në Fushë-Krujë, po edhe në disa zona të tjera periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme apo i drejtorisë së qarkut ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë! Sot, jo nesër!
Qytetarët janë jo vetëm arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike e private.
Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit," tha ai






