Sherri i Rrajave/ "Spastrohet" komisariati i Krujës, lirohen nga detyra tre zyrtarë të policisë, 26 punonjës transferohen
Dy javë pas dhunës që pjesëtarët e familjes Rraja ushtruan në lokal, është vëndosur ndryshimi i drejtuesve të komisariatit të Krujës.
Në deklaratën për mediat thuhet se vendimi është marrë për dhënien e impulseve të reja, me qëllim arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër krimit në përgjithësi, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe krimeve kundër jetës e pronës.
Shefi i Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini është shkarkuar duke ia lënë vendin Kreshnik Alimadhit.
Po ashtu është larguar edhe Zëvendësshefi Ajet Bega e në vend të tij ka marrë detyrën Sadik Topuzi.
Nga detyra është liruar Shefi i Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme Anri Nazaj dhe në vend të tij vendoset Dashamir Ilamaj.
Gjithashtu është vendosur transferimi i menjëhershëm i 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues. Vendet vakante të tyre janë plotësuar nga komisariate të tjera që janë në varësi të drejtorisë së Tiranës.
Vendimi është marrë pasi rreth 10 anëtarë të familjes Rraja goditën me shkopa bejzbolli e mjete të forta dy kushërinjtë e fisit Maja.
Shkak i dhunës u bë denoncimi i bërë për guroren nga shpërthimi i së cilës dëmtoheshin banesat.
Deri më tani 3 persona janë nën arrest dhe 6 në kërkim. Po ashtu pas daljes së videos deputeti Rraja ka dhënë dorëheqjen.
