Zamir Stefani, “masha” juridike e Ahmetaj për kopsitjen e dyinceneratorëve Fier-Elbasan. Juristi kyç dhe në aferën e privatizimit të CEZ
Zamir Stefani, juristi i ministrit Arben Ahmetaj që ka shërbyer dhe si juristi kryesor i privatizimit të CEZ, ka qenë masha kryesore e Ahmetaj në miratimin e inceneratorit të Elbasanit.
Rezulton se prej disa kohësh Zamir Stefani, ka ndërruar jetë, çka ka sjellë pengimin e SPAK për lëshimin e një urdhër arresti për të. Por sipas dosjes së prokurorisë, Stefani, ka qenë njeriu “kyç” i Arben Ahmetaj në kopsitjen e dokumenteve dhe dhënien e koncesionit pa procedurë shpallje, direkt dhe tek kompania “Alb-Tek”.
Madje dhe në rastin e miratimit të koncesionit për inceneratorin e Fierit, sërish Zamir Stafani, ka qënë njeriu që ka kopsitur letrat, duke futur në këtë garë të hapur një shoqëri manekine, të lidhur me çiftin e bashkëshortëve Sokol Meqemeja dhe Sonila Goxhaj.
Në dosjen e SPAK, thuhet se: ”...për procedurat e inceneratorit të Elbasanit, personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nëpërmjet vartësit të tij, të ndjerit Zamir Stefani, ka kontribuar në dhënien e koncesionit, në kundërshtim me kuadrin ligjor rregullues, duke u zbatuar procedura e negocimit pa shpallje paraprake si dhe duke mos u zbatuar detyrimet e tjera të ngarkuara nga kuadri ligjor në fushën e koncesioneve, përgjatë procedurave të ndjekura nga anëtarët e komisionit të sipërcituar, pjesë e të cilit ka qenë edhe i ndjeri Zamir Stefani...”
Në 14 nëntor 2014 Arben Ahmetaj dhe Zamir Stefani, janë shprehur parimisht dakord, në lidhje me projekt vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues Ministrinë e Mjedisit, procedurën përzgjedhëse me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës që i jepet shoqërisë Alb — Tek sh.p.k. në procedurën koncesionare me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë ”.
Por SPAK thotë se: ”...kjo shprehje dakordësie vjen në kundërshtim me kuadrin ligjor në fushën e koncesioneve, kur nuk mund të zbatohej procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Gjithashtu, në asnjë moment nuk ka ngritur shqetësimin, se cila ishte shoqëria propozuese, paaftësia e saj teknike, ekonomike për kryerjen e një vepre të tillë.
Ndërsa në lidhje me procedurën për inceneratorin e Fierit,
personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimi Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, paraprakisht ka ndërmarrë nisma ligjore në procedurat koncesionare.
Gjithashtu është propozuar dhe në vijim miratuar, që propozuesit të pakërkuar t'i jepej bonus, gjë e cila është arritur dhe është përdorur pikërisht në rastin e projektit koncensionar të Fierit, ku i është dhënë bonus, një shoqërie të lidhur me shtetasit Sokol Meqemeja (bashkëjetues i shtetases Sonila Goxhaj), Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
