Zoran Zekic nuk preferin lojën por rezultatin: Të luajmë si një skuadër, emrat nuk kanë rëndësi

Trajneri i Partizanit, Zoran Zekic nuk zhbalancohet në konferencën e shtypit ku me një gjuhë diplomatike nuk ka pika referimi. 

"Jam prej 1 muaji këtu, kam patur 25 ditë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje, por nuk është e rëndësishme të flasim sot, por nesër të bëjmë më të mirën. Është një ndeshje shumë e rëndësishme duke parë edhe afatin e shkurtër kohor. Ndjej keqardhje pasi bëmë vetëm 2 ndeshje miqësore. Ndonjëherë në futboll këto nuk vlejnë asgjë. Kemi stërvitjen e fundit, formacioni është i ideuar por nuk është mirë që të deklaroj përpara pasi mund të ketë të papritura.

Do të shohim nesër, mund të kemi disa surpriza. Pas 25 ditësh ende nuk i di të gjitha kualitetet e skuadrës. E para dhe e fundit ndeshje për mua s’ka rëndësi, unë provoj të fitoj gjithmonë. Është një ndeshje e rëndësishme, duhet të sulmojmë këdo, të mbrojmë njëri-tjetrin. Në këtë moment duhet të jemi të kujdesshëm, nuk duhet të gabojmë që të marrim një rezultat të mirë. Kemi disa lojtarë që nuk janë në 100%. Shpresoj që nesër të jenë të gjithë gati. Në këto 2 ndeshje miqësore nuk kisha një formacion fiks, por kam përdorur të gjithë lojtarët për të parë gjendjen fizike.

Nuk preferoi të fliste për kundërshtarët sepse i pëlqen të shikojë vetëm nga shtëpia e tij, rëndësi ka vetëm nëse skuadra do të tregohet cinike dhe e zgjuar për të rrëmbyër fitoren.

"Nuk ka pika të dobta apo të forta, janë 90 mintua të rëndësishme nesër. Kam folur për 25 ditë me skuadrën. Duhet të përballojmë ndeshjen me mentalitetin e duhur. Kam parë 4 ndeshjet e fundit të BATE-s, janë skuadër e mirë me lojtarë cilësor por ne duhet të japim më të mirën në fushë të arrijmë objektivin për skuadrën, klubin dhe tifozët.

BATE ka më shumë eksperiencë në Europë por nesër duhet të mendojmë vetëm për 90 minuta. Kur isha te Osijek kishim 25 vite pa marrë pjesë në Europë dhe ne u prezantuam mjaft mirë. Nuk është e rëndësishme kush e nis titullar, por si përfundon ndeshja. Kur ka 5 zëvëndësime është shumë favorizues dhe secili që është në pankinë është i rëndësishëm".