"Vrasësit e detit", bllokohen 9 mjete lundruese nga Saranda në Durrës

Policia tha se ka bllokuar 9 mjete lundruese nga Saranda në Durrës, shumica prej tyre lundronin në zonën që rrezikon qytetarët. Shkelje të rregullave ka pasur edhe në plazhe ku më herët janë shënuar aksidente vdekjeprurëse.

Mjetet lundruese në bregdet vijojnë të jenë rrezik për pushuesit vendas dhe të huaj.

Policia e Shtetit tha se ka bllokuar gjatë fundjavës 9 mjete lundruese nga Saranda në Durrës, për shkak të parregullsive që janë evidentuara.

Duke pasur synimin që të sigurojnë një sezon veror sa më të sigurtë, autortetet njoftuan se në plazhin e Ksamilit, u bllokua një mjet lundrues gomone, për shkak se lundronte tej zonës së lejuar për këtë veprimtari dhe si pasojë përbënte rrezik potencial për sigurinë e pushuesve në këtë plazh. Drejtuesi i këtij mjeti lundrues u ndëshkua me 2 masa administrative, me vlerë totale 110 000 lekë të rinj.

Ndërkohë në plazhin e Potamit ku një vit më parë u kaisdentua për vdekje një e mitur, u bllokua një tjetër mjet lundrues gomone, për shkak se lundronte tej zonës së lejuar për këtë veprimtari, Drejtuesi i këtij mjeti lundrues u ndëshkua me masë 100 000 lekë të rinj.

Edhe në plazhin e Golemit, u bllokua një mjet lundrues argëtimi Jet Skidhe Drejtuesi i tij u ndëshkua me gjobë 100 000 lekë të rinj.

Në plazhet e Vlorës ndërkohë u bllokuan 3 mjete të tjera lundruese argëtimi Jet Ski dhe 1 gomone, pasi drejtuesit e tyre ishin të papajisur me dokumentacionin e nevojshëm për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Secili nga këta shtetas u ndëshkua me masë adiministrative 10 000 lekë të rinj.

Edhe në Portin e Durrësit u bllokuan 2 mjete lundruese skafë, pasi drejtuesit e tyre kishin tejkaluar afatin për regjistrimin e pronësisë për këto mjete, sipas përcaktimeve ligjore. Secili nga drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese, u ndëshkua me masë adiministrative 20 000 lekë të rinj.