Mbyllet gurorja e Rrajave në Borizanë, policia kontroll dhe në 9 banesa të dëmtuara
Banorët e Borizanës e kishin denoncuar në vazhdimësi veprimtarinë e gurores rreth 300 metra mbi fshat, por u desh që dy prej tyre të dhunohen në mënyrë barbare nga anëtarë të fisit Rraja, që shteti të vepronte me gjithë forcën e tij.
Gurorja në pronësi të në pronësi të “Delia Group” me administrator Viktor Delia, ku rezulton si bashkë pronar Përparim Rraja, i afërt i ish-deputetit Rrahman Rraja u mbyll.
Vendimi pasoi një inspektim në kanterier nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.
Banorët e Borizanës jo shumë kohë më parë, protestuan dhe denoncuan dëme në banesa për shkak të shpërthimeve, por sic kanë deklaruar këto ditë asnjë masë nuk ishte marrë.
Pasi dhunës barbare ndaj kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja, Policia e Shtetit thotë se ka kryer inspektime në nëntë shtëpi që dyshohet se janë dëmtuar nga veprimtaria e gurores.
Specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, thuhet se bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave objekt këqyrje.
Veprimtaria e Gurores në Borizanë shkak konfliktesh e dhune do të qëndrojë e pezulluar deri në përfundim të verifikimeve të plota për respektimin e distances dhe të lejes së shfrytëzimit bëri me dije Policia e Tiranës.
