4 viktima nga aksidentet/ Ndërrojnë jetë në Spitalin e Shkodrës çifti që u përplasë nga autobusi në Shkodër
Burrë e grua të moshuar nuk u mbijetuan plagëve të marra nga përplasja e motorit me të cilin udhëtonin me një autobus.
Sadije dhe Adem Sula, përkatësisht 80 dhe 84 vjec ndërrruan jetë disa orë pas aksidentit të shënuar pasditen e së shtunës në aksin Shkodër-Koplik.
Ata po udhëtonin me motor kur u goditën nga autobusi që po kthehej nga Mali i Zi, me dhjetëra qytetarë nga Lezha, të cilët ishin për vizitë turistike.
Goditja ishte e fortë.
Bashkëshorët e moshuar morën dëmtime të rënda në trup dhe pavarësisht ndihmës mjekësore ndërruan jetë në Spitalin rajonal të Shkodrës.
Policia ndërkohë ende nuk ka dalë në përfundime për shkaqet e aksidentit që u mori jetën dy bashkëshortëve të moshuar, në aksin Shkodër-Koplik, ku ngjarjet e tilla janë të vazhdueshme.
Bilanci i viktimave si pasojë e aksidenteve të ndodhura më herët gjatë javës shkoi në tre, kur Gjelosh Rushaj, po nga Shkodra ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Ai u aksidentua të enjten në Rrugën e Dukagjinit, pasi kamioncina me të cilën udhëtonte përfundoi në humnerë.
Pas ngjarjes së rëndë, ai u soll me anë të helikopterit në Spitalin e Traumës, por nuk u mbijetoi dëmtimeve që kishte marrë.
Kjo ishte tragjedia e radhës nga aksidentet për familjen Rrushaj.
Në vitin 2000 katër anëtarë të familjes humbën jetën në një aksident të ngjashëm në rrugën e Dukagjinit.
Ndërsa nëntorin e kaluar Gjelosh Rushaj humbi vëllain dhe nipin e mitur.
Pjetër Rrushaj dhe i biri Jason Rrushaj humbën jetën pasi mjeti me të cilin udhëtonin u mor përpara nga rrjedha e përroit të Bogës.
Një vajzë e familjes arriti të mbijetojë.
Përplasja e dy makinave në aksin Sarandë – Delvinë e coi në katër bilancin e viktimave të aksidenteve rrugore këtë të dielë.
Irodhi Dalani, i njohur si biznesmen dhe ish kryetar i Komunës Livadhja ndërroi jete ndërsa po transportohej drejt Greqisë për trajtim të specializuar.
Drejtuesi i mjetit tjetër të përfshirë në aksident mbeti i plagosur.
