Rama: Të materializojmë planin e ri të mbështetjes financiare e ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, e sheh të habitshme se pse vështirësohet mundësia në Kosovë për të komunikuar mbi samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë dhe mbi samitin e NATO-s.

Në një intervistë për Klan Kosovën, Rama shpjegoi arsyet e turit të tij ballkanik në kuadër të procesit të Berlinit.

“Ne do të mikpresim në Tiranë samitin e Procesit të Berlinit. Për herë të parë ky Samit vjen në rajon dhe ne dëshirojmë që ta shfrytëzojmë këtë mundësi të pazakonshme që na jepet për të bërë më të mirën e mundshme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në këtë proces duke u përpjekur që në samitin e Tiranës të materializojmë një përpjekje të filluar disa kohë më parë me Komisionin Evropian dhe me një sërë shtetesh evropiane për të mundësuar një plan të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.

Rama shtoi:

“Në këndvështrimin tim është shumë e rëndësishme që në përgatitjen e këtij samiti ne të ndërtojmë një pozicion të përbashkët. Nga njëra në duke informuar të gjithë partnerët në rajon dhe përmes këtyre takimeve liderët e rajonit mbi çfarë përmban ky plan. Dhe pastaj për të mbledhur dhe opinionet e tyre dhe më tutje për ta formësuar një qëndrim të përbashkët, jo në formën e një kërkese, por në formën e një qasjeje proaktive duke shfrytëzuar faktin që procesi i Berlinit udhëhiqet nga Gjermani, dhe Gjermania e dimë shumë mirë çfarë roli ka në BE. Gjë që është në të mirën e të gjithëve”.

“Dhe është shumë e habitshme se pse kjo mundësi vështirësohet në komunikim këtu në Kosovë. Ndërkohë që Kosova , ashtu si të gjithë vendet e tjera, por mbase dhe më shumë se vendet e tjera, ka nevojë sot më shumë se kurrë për të dalë nga një empas, por edhe për të folur konkretisht për atë që duhet të jetë e ardhmja jonë e përbashkë në raportet me BE. Kemi një samit të NATO-s, në ditët në vijim. Dhe ne jemi anëtarë të NATO-s së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe në NATO është e pashmangshme që të trajtohet dhe kjo temë e befasishme për vendet e NATO-s, por reale dhe konkrete që vjen edhe si një temë e kërcënimit të sigurisë, si pasojë e të gjithë atyre gjërave që po ndodhin në veriun e Kosovës”.

“Ne kemi marrë përsipër që të përgatisim edhe një raport për të gjithë anëtarët e NATO-s dhe njëkohësisht dëshiroj që të formësojmë një qëndrim të përbashkët me Malin e Zi dhe me Maqedoninë e Veriut në mënyrë që pavarësisht se Kosova nuk është e pranishme, ajo që është themelore për pozicionin të jetë e dëgjuar, po themi. Edhe për këtë është e hatashme që të mos jetë mundësia e një komunikimi normal dhe të dyja këto sëbashku nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet mes dy qeverive, si do që ato të konceptohen nga njëri apo tjetri”, theksoi Rama.