E thotë Balla: “Ballkani i Hapur” s’ka përfunduar, nga nismat më të suksesshme
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socailiste, Taulant Balla, theksoi se nisma “Ballkani i Hapur” nuk ka përfunduar. Madje, sipas tij, është nga nismat më të suksesshme, ku aderon Shqipëria.
Balla, duke replikuar me deputetët e opozitës, gjatë seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, shtoi se nga nisma “Ballkani i Hapur” kanë përfituar prodhuesit shqiptarë.
“Nisma e ‘Ballkanit të Hapur’ është një prej 72 nismave rajonale në të cilat është e angazhuar Shqipëria. Nuk ka përfunduar, por përkundrazi vijon dhe është një nga nismat më të suksesshme. Dhe për t’jua vërtetuar këtë, ju them hajdeni nesër dhe shkojmë në pikat e grumbullimit në Lushnjë dhe të pyesni prodhuesit shqiptarë se sa ju ka ardhur në ndihmë kjo nismë”, – tha Balla.
Sipas kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Procesi i Berlinit është çatia nën të cilën strehohen të gjitha nismat rajonale.
“Procesi i Berlinit është çatia në të cilën ndodhen të gjitha nismat rajonale. Shqipëria ka nderin të ketë Presidencën e Procesit të Berlinit, presidenca e parë nga vendet e Ballkanit. Ajo që kemi vendosur është kjo, që gjatë këtij viti deri në samitin e 16 tetorit të fokusohemi tek çatia, që është Procesi i Berlinit. Sa u përket nismave që mban brenda kjo çati, një ndër to është “Ballkani i Hapur” dhe sa i takon kësaj nisme, ju kujtoj këtu se në Kuvendin e Shqipërisë kemi votuar marrëveshje apo ndryshime legjislacioni që lidhen me “Ballkanin e Hapur””, – tha Balla më tej.
Reagimi i kreut të grupit parlamentar socialist, erdhi si përgjigje ndaj deklaratave të deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila ngriti akuza ndaj qeverisë lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”.
