Rama i shkoi në "shtëpi", Kurti nuk e priti, por 13 marrëveshjet u firmosën
Pavarësisht refuzimit për takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka vijuar turin e tij ballkanik duke takuar në Kosovë presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e parlamentit, Glauk Konjufca.
Kryeministri shqiptar deri në moment të fundit ka shpresuar për zbutje të homologut kosovar, duke nisur para vizitës edhe 13 marrëveshjet e firmosura, të cilat duhet të ishin nënshkruar në mbledhjen e anuluar mes dy qeverive.
Por pavarësisht se nuk pranoi të pranonte Ramën, Albin Kurti nuk ka refuzuar marrëveshjet.
Në njoftimin për mediat, ku bëhet me dije se edhe Kurti i ka nënshkruar ato, kryeministria e Kosovës vë në dukje se mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen mes vendeve tona, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit.
Nga ana tjetër, Glauk Konjufca, pas takimit me Ramën u shpreh se pavarësisht synimeve të mira, kryeminstri shqiptar e ka dëmtuar në disa raste Kosovën.
Ai shtoi se edhe propozimi për asociacionin përmban elemente të autonomisë territoriale.
"Ne patëm një krizë në vitin 2017 kur u duk se për Kosovën edhe Shqipëria po është në anën e opsionit që ishte shkëmbimi territorial. Dhe mendoj që kjo e ka dëmtuar Kosovën. Mendoj që e ka dëmtuar Kosovën edhe ideja e “Ballkanit të Hapur” sepse ky është dallim prej asaj se cka ka nevojë Kosova," tha ai.
Ndërkohë presidentja Vjosa Osmani pas takimit shkruan në Twiter se me Ramën diskutuan proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.
