Shqipëria e bukur, Rama ndan foto nga Zvërneci
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një pamje nga Zvërneci në Vlorë.
Zvërneci gjendet pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.
Pamja e parë mbi të mund të merret madje që në kodrat nga Kriporja deri sa mbërrihet në qytetin e Vlorës përgjatë rrugës që vjen nga Fieri.
Një urë druri rreth 100 metra e ndërtuar mes për mes kënetës të çon drejt manastirit.
Në anën tjetër të ishullit gjendet “Kisha e Shën Triadës”. Kjo kishë është e dëmtuar dhe e pa riparuar akoma.
Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen rreth 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës.
I tërë peizazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi.
Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.
Zvërneci mbetet një nga pikat më të afërta ku gërshetohet bukur turizmi natyror me atë detar dhe kulturor, ku historia prehet në krahët e natyrës.
