Pikë grumbullimi në Librazhd, 360 fermerë mbledhin produktet në “food hub”
360 fermerë të Librazhdit kanë tashmë në funksionim pikën e re të grumbullimit për prodhimet e tyre.
Me sipërfaqe 300 m2, pika e grumbullimit, investim i Bashkimit Europian, u shërben atyre për grumbullimin, magazinimin, promovimin dhe tregtimin e prodhimeve të ndryshme që realizojnë ata.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, shprehu angazhimin e qeverisë për mbështetjen e investimeve të reja në drejtim të krijimit të pikave të grumbullimit sipas standardeve më të mira, në zona të ndryshme të vendit.
Këto investime, tha ai, ndihmojnë fermerin për daljen e prodhimeve më shpejt në tregje dhe forcimin e ekonomisë rurale.
Ndërsa ambasadorja e BE, u bëri thirrje fermerëve të shtojnë prodhimet e tyre, të cilat tashmë do të marketohen jo vetëm në tregun vendas, por edhe të huaj.
“Kjo pikë grumbullimi ju vjen ju në ndihmë, jo vetëm për t’i grumbulluar produktet tuaja, por për ti paketuar, magazinuar konform të gjitha kushteve dhe për t’i nxjerrë në treg, jo vetëm në tregun vendas. Është një vlerë e shtuar për ju. Kjo është gjë e mirë për ju, por edhe për të ardhmen tuaj në tregjet europiane, duke garantuar standardet e kërkuara. Po ashtu sfidë, që jam e bindur ju do t’ia dilni, do të jetë që këtë qendër ta vazhdoni ta menaxhoni edhe pas projektit, ju si fermerë dhe pushteti vendor”, tha Ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann, në çeljen e kësaj pike.
Investimi është bërë i mundur në kuadër të projektit “Jo drogë, pikë grumbullimi”, ku 1500 të rinj kanë marrë informacion për riskun e përfshirjes në aktivitete të paligjshme.
Me rastin e inaugurimit të pikës së grumbullimit është organizuar edhe një panair me produktet bio të zonës. Librazhdi numëron me qindra fermerë, por edhe më shumë bletërritës, mjalti i të cilëve është i njohur për vlerat e tij.
