INSTAT: Përgjysmohen eksportet drejt Kinës, importet rritje me 10 miliardë lekë
Eksportet shqiptare drejt Kinës shënuan rënie me gati 50 % gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi se në 5-mujorin e këtij viti eksportet e mallrave shqiptare drejt Kinës llogariten në vlerë 3.2 miliardë lekë, nga 6 miliardë lekë të eksportuara në 5-mujorin e 2022-shit.
Ndërkohë, importet e mallrave, referuar INSTAT, arritën vlerën 37.6 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të 2022-shit u importuan 27.4 miliardë lekë mallra.
Shqipëria importon nga Kina kryesisht makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi vlera e të cilave gjatë këtij 5-mujori llogaritet 19.5 miliardë lekë.
Po ashtu tekstile dhe këpucë, me vlerë gati 4.9 miliardë lekë, produkte kimike e plastike me vlerën mbi 3.2 miliardë lekë dhe dhe materiale ndërtimi e metale me vlerë 5.2 miliardë lekë.
