Specialistë të parametrave zero, Marota-Inter një binom fitues/ Ja lista e plotë
Markus Turam mbërriti në Milano pak ditë më parë dhe do të jetë sulmuesi më i ri i Interit deri në 2028-ën kur do të përfitojë 6.5 milionë euro në sezon. Francezi u bë kështu transferimi i parë i kësaj vere i zikaltërve dhe po ashtu i pari me parametër zero për këtë dritare transferimesh, që pritet të ketë jo pak të tilla tek Interi.
Me një specialist në këtë drejtim si Xhuzepe Marota, klubi italian ka përfituar kohë pas kohe nga lojtarët në skadencë kontrate që jo pak herë kanë rezultuar deciziv në fatin e skuadrës. Ata të viteve të fundit prekin emra si Onana, Çalhanoglu e Mikhitarian, emra që janë vetëm maja e ajsbergut për administratorin e deleguar, që ka bërë të njëjtën gjë edhe gjatë viteve të tij te Juventusi.
Duke e nisur nga Luka Toni e Andrea Pirlo te Pol Pogba, Kingsli Koman e Sami Kedira, kanë qenë të shumtë lojtarët që kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm te bardhezinjtë falë intuitës së drejtuesit italian.
FORMACIONI ZIKALTËR – Ndërsa Marota ka bërë gjithmonë një punë fantastike në transferimet me parametër zero, duket se kjo dukuri është një traditë edhe e Interit. Që nga 2003-shi e deri më sot klubi zikaltër ka transferuar 30 lojtarë gjatë merkatove të këtyre 20 viteve duke pasur ndër ta jo pak yje.
Nga Karagunis tek Onana, duke kaluar te Esteban Kambiaso, Hernan Krespo, Luis Figo, Stefan de Vraj, Sinisha Mihajloviç dhe më i fundit Turam, lista është e gjatë. Mes tyre ka nga ata që shkëlqyen dhe fituan duke pushtuar tifozët dhe ata që kaluan thuajse pa u vënë re.
Mes të gjithëve ka një formacion ideal, 11 emrat më të mirë të zikaltërve sipas roleve, për të cilët Interi nuk ka paguar asnjë monedhë për të siguruar shërbimet: Aleksis Sançez, Krespo, Mikhitarian, Çalhanoglu, Kambiaso, Figo, Maksuell, Mihajloviç, De Vraj, Ze Maria dhe Onana. /P. SPORT