Shpërthim me tritol në një garazh në Shkodër
Banorët e lagjes numër 10 në Shkodër janë zgjuar nga shpërthimi i një sasie lënde ekspozive mëngjesin e së enjtes.
Mësohet se lënda shpërthyese, e dyshuar si tritol, ishte vendosur pjesën e jashtme të derës së garazhit në pronësi të 52 vjeçarit Agim Uraj, përgjatë rrugës së Karahases.
Farmirësisht nga ky shpërthim nuk ka persona të lënduar, por raportohet vetëm për dëme të vogla materiale.
Vetë 52-vjeçari Uraj i cili është një biznesmen i qytetit të Shkodrës ka deklaruar përpara oficerëve të policisë se nuk ka konflikte me njeri dhe nuk ka asnjë indicie për ngjarjen.
Grupi hetimor i cili mbërriti në vendngjarje vijon punën për zbardhjen e rrethanave të këtij shpërthimi si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si provë materiale policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në banesën e biznesmenit si dhe ato në zonë që pritet t’i vijnë në ndihmë për identitikimin e autorit apo autorëve të ngjarjes. Dosja i ka kaluar tashmë prokurorisë së Shkodrës.

