Kryengritja e muxhahedinëve në Manzë, kreu i KMSH-së: Ata janë miq dhe miku si mik qëndron. Kosova të gjejë zgjidhje

Ndërsa i uroi të gjithë besimtarët muslimanë “Gëzuar Kurban Bajramin”, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu theksoi se kjo festë është simbol i sakrificës dhe i sinqeritetit!

Nga sheshi “Skënderbej” pas ceremonisë tradicionale, Spahiu  në një prononcim për mediat u shpreh se në këtë ditë të shënuar është momenti që t’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë.

Ndërkaq, kreu i KMSH-së u pyet edhe për ngjarjen e rëndë të pak ditëve më parë në kampin e Manzës, ku muxhahedinët e strehuar në vendin tonë rebeluan ndaj forcave të policisë së Shtetit, e cila zbarkoi atje pas urdhrit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me hetimet e zhvilluara sa i përket aktivitetit të dyshuar kriminal që ushtrohej në ato ambiente.

“Unë ju uroj të gjithë besimtarëve muslimanë Gëzuar festën e Kurban Bajramit. Për ngjarje të tilla, shteti shqiptari njeh shumë mirë gjërat dhe i di ato mësë miri që janë më të drejta për sigurinë e vendit, për sigurinë kombëtare, për sigurinë e çdo populli dhe të çdo familjeje. Kjo është mbi të gjitha. Ata janë miq që janë në Shqipëri të vendosur dhe miku si mik qëndron”, u shpreh Spahiu.

Po ashtu, ai kishte edhe një koment për situatën në Kosovë.

“Natyrisht që edhe për situatën në Kosovë ne i lutemi Zotit që të ulen tensionet dhe të gjendet gjuha e përbashkët, e maturisë dhe të gjenden zgjidhje për çështje të përbashkëta, posaçërisht në Kosovë. Vullneti i atyre palëve sa më shpejt të gjejë një zgjidhje”, theksoi Bujar Spahiu.

Ndërkaq kreu i KMSH-së iu përgjigj interesimit të gazetarëve edhe lidhur me xhaminë e Namazgjasë.

“Xhamia e Namazgjasë akoma nuk ka mbaruar nga brenda, por ka edhe gjëra nga jashtë akoma të papërfunduara. Në momentin që mbaron ajo do hapet. Duke shpresuar që ajo xhami si mozaik, siç janë katedralet e tjera, do të plotësohet. Natyrisht unë  ekam shprehur edhe më parë që xhamia nuk na zë për faljen e Bajramit, por për ditën e premte të Xhuma, është e mjaftueshme”, u shpreh kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu.