VIDEO/ Festohet Kurban Bajrami, besimtarët falen në sheshin “Skënderbej”
Besimtarët myslimanë kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit. Falja e namazit të Kurban Bajramit në Tiranë u krye në sheshin Skënderbej.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Bujar Spahiu, iu drejtua mbarë shqiptarëve duke theksuar se Kurban Bajrami është festë e sakrificës.
Në këtë ditë të gjithë besimtarët myslimanë përcjellim mesazhe paqeje e harmonie për njëri-tjetrin si dhe lutje për më shumë begati. ORA News iu uron gëzuar të gjithë besimtarëve myslimanë.
Aktiviteti ka nisur në orën 05:30 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 07:30.
Pas përfundimit të faljes së Kurban Bajramit do të bëhet edhe lirimi i hapësirës publike dhe sheshi “Skënderbej” do i rikthehet aktivitetit normal për t’u shfrytëzuar nga qytetarët.
Më poshtë gjeni programin zyrtar të organizimit nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, njofton të gjithë besimtarët se Kurban Bajrami do të falet në sheshin “Skënderbej”, Tiranë.
Programi i Kurban Bajramit vijon si më poshtë:
05:40 Hapja e programit
05:45 Lexim Kurani nga imami i xhamisë “Et’hem Bej”, z. Elton Karaj
05:50 Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu
06:00 Falja e namazit të bajramit, prin Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu
06:10 Hutbeja e bajramit nga Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica
Gjithashtu ju bëjmë me dije se pritjet tradicionale me rastin e kësaj feste në selinë e institucionit do të zhvillohen nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ju uron të gjithë shqiptarëve, Gëzuar Kurban Bajramin!


