Balfin Group mbush 30 vjeç, etapa historike kurorëzohet me një ceremoni festive

Grupi BALFIN shënoi 30 vite aktivitet dhe kjo etapë historike u kurorëzua me një organizim të jashtëzakonshëm, ku morën pjesë të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës të kësaj historie, si edhe kushdo që ka mbështetur projektin që zuri fill në 1993. Në ceremoninë e dedikuar kryesisht punonjësve, ishin të ftuar dhe partnerë nga 35 shtete të ndryshme.

Samir Mane, duke falënderuar mijëra punonjës dhe qindra partnerë biznesi që ishin pjesë e festimeve, riktheu emocionet e rinisë kur, në moshën 25 vjeçare, krijoi në Austri Grupin BALFIN.

“Besoj se të gjithë mund të pohojmë ndryshimet e mëdha që ka sjellë Grupi BALFIN kudo ku ka investuar, duke zhvilluar hapësirat gjeografike, duke fuqizuar bizneset dhe duke përmirësuar jetesën e qytetarëve”

Në fjalën e tij deklaroi edhe krijimin e Fondacionit Mane, që është një fond bamirësie i financuar prej tij.

“Ky fondacion do të jetë angazhimi im i ri, që dua ta realizoj me të njëjtin sukses si edhe Grupin BALFIN. Së shpejti do të keni mundësi të jepni kontribut gjithsecili.”

Drejtoresha Ekzekutive e Grupit BALFIN, Edlira Muka, e cila theksoi mentalitetin e inovacionit, bashkëpunimit dhe përgjegjshmërisë që është formuar dekadë pas dekade.

Ajo shtoi se “Prania e Grupit BALFIN në 10 vende dhe shumë sektorë të ekonomisë tregon forcën e këtij grupi investimesh. Me bindjen e patundur tek kapaciteti i punonjësve, tek njohuritë e specializuara dhe gatishmëria për të ecur krah projekteve ambicioze botërore, do të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë per familjet tona dhe komunitetin ku investojmë”

Grupi BALFIN luan prej 30 vitesh rol aktiv si një nga grupet e investimit më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Kompanitë e këtij grupi operojnë në fushat e pasurive të patundshme, shitjeve me shumicë dhe pakicë, në sistemin bankar, menaxhimin e aseteve, turizëm, media dhe shërbime logjistike.

Mbi 5.000 punonjës në dhjetë vende, që punojnë me standardet më të larta të biznesit dhe të etikës, janë forca që e mban në lëvizje Grupin BALFIN. Kjo organizatë ka realizuar një impakt të prekshëm në komunitet, nëpërmjet zhvillimit ekonomik, punësimit dhe angazhimit social.