13 raste sinjalizimi mbi korrupsionin, asnjë para drejtësisë, 2 kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja
Vendet e Ballkanit Perëndimor sa vijnë dhe po rrisin shifrat e rasteve e denoncimeve të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Një nga kërkesat kryesore të BE-së ishte që shtetet që pretendonin anëtarësimin, të zbatojnë me rezultate të dukshme sinjalizimin dhe parandalimin kundër korrupsionit.
Në një konferencë inspektorë dhe drejtues të agjencive për parandalimin e korrupsionit ndanë shifrat dhe përvojat e secilit.
Sipas përfaqësueses së ILDKPI-së Mirela Gega në vend vetëm gjatë vitit të shkuar janë shtuar rastet e sinjalizimit.
“Gjatë vitit 2022 Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Ineteresit, si mekanizëm i jashtëm për sinjalizimin dhe kërkesat për mbrojtjen kundër hakmarrjes, ka regjistruar dhe hetuar administrativisht gjithsej 13 raste sinjalizimi si dhe dy kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja, të cilat vijnë nga sektori publik,” thanë ata.
Në rastin e Shqipërisë, sipas Arjan Dyrmishit drejtorit ekzekutiv për mbrojtjen e sinjalizuesve, asnjë rast nuk ka përfunduar ende përpara organeve të drejtësisë.
“Kontributi i sinjalizimit nuk është i konsiderueshëm, për të thënë të vërtetën. Ka patur në vite sinjalizues për korrupsionin, por ne nuk dimë se cili ka qenë ndikimi, sepse nuk kemi parë që ndonjë çështje administrative të jetë shndërruar në çështje prokurorie,” tha ai.
Në shumicën e rasteve, pas hetimeve administrative, masat kanë qenë gjoba për zyrtarë në konflikt interesi si dhe largim nga puna.
