“PD e vulës përdor skenarët e Ramës” Berisha: Kryeministri po përpiqet të rrënojë opozitën
Për Sali Berishën, zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike që mban vulën është një skenar i kryeministrit Rama për të rrënuar opozitën. Ai vijoi dhe me akuzat sa i përket tensioneve në Kosovë, kur u shpreh se po përdoret dhe situata e krijuar me arrestimin e tre policëve
Një ditë pas vendimit të Partisë Demokratike të ashtuquajtur e siglës, për të filluar me punën për zgjedhjen e kryetari të ri, Sali Berisha shprehet se pas këtyre veprimeve fshihet Edi Rama.
Qëllimi tha ai është për të rrënuar partinë më të madhe opozitare.
Berisha: Çdo ditë që kalon, farsa zgjedhore 14 maj 2023 nxin edhe më shumë, bëhet më e zezë. Hapjet e dokumenteve dëshmojnë se me 14 maj, shqiptarët përjetuan një farsë të atillë që mund të mbahet mend vetëm në kohërat e diktaturës. Por, në mënyrë antiligjore po sillen edhe organet e trajtimit të ankesave. Flamurin e lakejve të regjimit e mban si gjithnjë drejtuesi i KAS, por paralel ecin edhe institucionet e tjera.
Përballë gazetarëve, komentoi edhe vendimin e kolegjit zgjedhor për rivotim në bashkinë e Rrogozhinës. Sipas kreut të rithemelimit, gjykata duhet të kishte marrë si të pandehur përfaqësuesit e mazhorancës.
Berisha: Dje, në Kolegjin Elektoral u shqyrtua dosja e Rrogozhinës, në të cilën kutia e burgut të Rrogozhinës nuk plotësonte asnjë kusht ligjor të një qendre të votimit. Pra, para çdo gjykatësi me minimumin e minimumit të integritetit profesional, ajo shpallej e pavlefshme. Dhe tani gjykata, në një vendim të kontrolluar, shpalli të gjithë zonën të pavlefshme për një qendër votimi.
Tensionet në veri të Mitrovicës nuk mbetën jashtë vëmendjes së tij ku akuzoi se Rama është i angazhuar po aq sa Vuçiç për ndarjen e Kosovës.
Berisha: Me 14 qershor, ose natën e 13 qershorit Edi Rama anuloi takimin e parashikuar në kuadrin e Lidhjes së Prizrenit, mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës në Gjakovë. Me 14 pasdite, Putini i Vogël rrëmben në një praktikë që mund ta shihni vetëm në kufirin e Koresë së Veriut me Korenë e Jugut, edhe aty nuk guxon ta praktikojë Kim Jong Un-i të rrëmbejë njerëz me uniformë në mënyrën më kriminale dhe banditeske.
Teksa preku dhe takimin në Shqipëri të kryeministrit hungarez, Berisha u shpreh se vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me Orban.
