Raportohet për anulimin e mbledhjes së dy qeverive shqiptare, ajo e Kosovës nuk di gjë
Mbledhja mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ishte planifikuar të mbahej të mërkurën në Gjakovë, është anuluar sipas medieve. Por, të kontaktuar nga mediet në Kosovë, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk ka informata për anulimin e kësaj ngjarje.
Qeveria e Kosovës para pak minutash madje e dërgoi agjendën për mbledhjen e nesërme të dy qeverive.
“Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sotëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe uverturë për mbledhjen e nesërme. Për anulimin po dëgjojmë tani nga ju”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Por, sipas mediave, ajo është anuluar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar konferencë për shtyp për ora 19:30. Nuk dihet nëse ka lidhje me këtë vendim.
Në këtë mbledhje ishte planifikuar takimi i kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dyja vendet, ku pritej të diskutoheshin që sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësi në përfitim për qytetarët.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që një kohë të gjatë kanë nisur ciklin e takimeve të herëpashershme.
