Anulohet mbledhja mes dy qeverive, Zeka: Kurti i shantazhuar nga Rusia dhe Serbia, inate personale me Ramën
Teksa pritej që ditën e nesërme të mbahej një mbledhje mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, mediat kosovare bënë të ditur se mbledhja ishte anuluar.
Analisti Milaim Zeka në një intervistë për Ora News deklaroi se pas anulimit të kësaj marrëveshjeqëndron fakti se kryeministri Albin Kurti është i shantazhuar nga Rusia dhe Serbia, ndërsa inatet personale që kanë me kryeministrin Rama kanë bllokuar lidershipin dhe komunikim mes dy vendeve.
"Sepse Albin Kurti ka ardhur në pushtet me axhenda ruso-serbe, është duke vepruar me axhendat e tyre dhe unë deri në njëfarë kohe nuk kam dashur tu vë veshin jo atyre thashëthemeve, se është një e vërtetë e pamohueshme që Albin Kurti si student e ka patur të dashur vajzën e ish-ministrit të punëve të brendshme të Serbisë Sokolviç, ministër i Millosheviçit. Ky njeri me gjithë këto veprime të çmendura është 100% njeri i shantazhuar nga Serbia dhe Rusia sepse nuk gjej ndonjë spjegim tjetër se cili është shkaku që e detyron Albin Kurti të konfrontohet jo me Vuçic, jo me Serbinë, jo me serbët e veriut, por me bashkësinë ndërkombëtare me SHBA, vendet e QUINT-it.
Kurti dhe Osmani e urrejnë më shumë kryeministrin Rama sesa Vuçiç apo ndonjë lider tjetër serb. Kjo është arsyeja që ne as në kohën e Enver Hoxhës nuk ka patur ndonjë armiqësi kaq të madhe mes Tiranës dhe Prishtinës. Osmani dhe Kurti i kanë vënë bllok lidershipit të Tiranës duke mos respektuar protokollin, kulturën e komunikimit mes dy vendeve por për shkak të inateve të tyre personale po e sulmojnë Ramën pa kurrëfarë arsye," tha ai.
