Veliu: AMP, 1970 ankesa të administruara gjatë vitit 2022, kemi bërë edhe 245 referime penale

Në drejtimin e kryetarit Nasip Naço, Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore për raportin vjetor të vitit 2022, të veprimtarisë së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Raportin mbi treguesit e AMP, objektivat dhe prioritetet në të ardhmen e prezantoi drejtori i AMP, Ardi Veliu.

Veliu, pasi bëri një përmbledhje të përpjekjeve të institucionit që ai drejton përgjatë gjithë vitit 2022, për përmbushjen me sukses të detyrimeve, theksoi prioritetet dhe objektivat kryesore për vitin 2022, të përcaktuara në Programin Vjetor të Agjencisë, si: përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, vijimi i konsolidimit organizativ dhe funksional i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore; rritja dhe forcimi i rolit mbikëqyrës të Agjencisë kundër paligjshmërive ndër radhët e strukturave, me fokus të veçantë korrupsionin dhe abuzimin me detyrën dhe rikonceptimi i procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Për sa i përket Hetimit Disiplinor për shkelje të rënda të punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, Veliu tha se, “gjatë vitit 2022 janë administruar 1970 ankesa dhe dërguar pranë organit të ndjekjes penale 245 referime penale, të cilat janë regjistruar në Sistemin e Menaxhimit të Çështjes/Moduli i Hetimit të Ankesave dhe Moduli i Hetimit Procedural Penale”, ndërsa shtoi se, “janë kryer gjithsej 117 inspektime, në përfundim të të cilave janë dhënë 152 rekomandime, si dhe është sugjeruar fillimi i hetimit disiplinor ndaj 150 punonjësve të strukturave, gjë që tregon edhe më tej një rritje cilësore të profesionalizmit dhe integritetit të strukturave të hetimit”.

Më tej, Veliu vijoi në mënyrë të përmbledhur raportimin për menaxhimin e shërbimeve mbështetëse, dixhitalizimin dhe informacionin, hetimin disiplinor të subjekteve mbikëqyrëse të Agjencisë ku theksoi se, “për 8 praktika është përfunduar hetimi disiplinor, ku është vendosur për dhënien e masave disiplinore përjashtim nga Policia për 7 punonjës policie”.

Në fjalën e tij, drejtori i AMP theksoi dhe forcimin e kapaciteteve të Agjencisë nëpërmjet trajnimit të vazhdueshëm të personelit, bashkëpunimin ndërinstitucional brenda dhe jashtë vendit dhe rolin e AMP si pjesë e grupeve ndërinstitucionale të punës për çështje që lidhen me Proceset Integruese të vendit tonë në BE.

Në përfundim të fjalës së tij Veliu u ndal dhe në sfidat, prioritetet dhe objektivat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për vitin 2023.