Arbitrazhi ndahet në Shqipëri, qeveria: Palët do të zgjedhin gjyqtarë të pavarur për konfliktet

Gjyqet e arbitrazhit nuk do të zgjidhen më vetëm në arenën ndërkombëtare. E njëjta strukturë do të funksionojë edhe në shqipëri. Në paraqitjen në komisionet parlamentare, përfaqësuesi i ministrisë së drejtësisë nuk sqaroi faturën që shteti shqiptar ka paguar ose që rrezikon të paguaj

Mazhoranca propozon krijimin e një gjykate të arbitrazhit ku bizneset mund të zgjidhin konfliktet qoftë mes tyre apo dhe në rastin e përballjes me qeverinë.

Në argumentet në komisionin e ekonomisë u theksua se kjo është një formë ndryshe nga arbitrazhi ndërkombëtar.

"Nuk më duket që ka të bëjë me arbitrazhin kombëtar. Ky ka të bëjë me arbitrazhin brenda vendit. Është hequr ligji, do ta rivini, shumë mirë që do ta rivini, ndoshta duhet të ishte rivënë më parë. Ajo që do të bëjë ky ligj ëhstë të lehtësojë marrëdhënie mes dy subjekteve, shtet-privat apo privat-privat, si dhe të çlirojë gjykatat sa më shumë nga ngarkesa e punës sepse kur ske arbitrazh të gjithë do të shkojnë tek gjykatat brenda vendit," tha deputeti Edmond Spaho.

Përfaqësuesit e ministrisë së drejtësisë nuk pranuan të jepnin shifrat se sa është shuma që shqipëria ka paguar apo do të paguajë nga gjyqet që ka humbur në arbitrazh. Për këtë deputetëve iu kërkua të adresonin pyetjet në një tjetër institucion.

"Sa herë që shteti shqiptar është palë në një procedurë gjyqësore, alternative siç është arbitrazhi ai përfaqësohet nga avokatura e shtetit në gjyq, jo nga ministria e drejtësisë. Ne jemi këtu për të sjellë projektligjin për arbitrazhin, ndërkohë të gjtihë përfaqësimet, evidencat, statistikat, fazat e ekzekutimit i ka avokatura e shtetit, nuk i ndjekim ne si ministri drejtësie," tha ai.

Krijimi i arbitrazhit në Shqipëri parashikon që palët të kenë dy gjyqtarë të pavarur, por çështjet nuk trajtohen në sistemin e gjyqësorit.