Në kërkim në Gjermani për vrasje, 34 vjeçari kapet në Tiranë me kokainë në makinë

Ky që shikoni në këtë foto është 34 vjeçari Alidon Marqeshi.

Në Gjermani ishte në kërkim për vrasje, por në vendin tonë lëvizte lirshëm.

U arrestua në Tiranë, pasi policia e ndaloi rastësisht dhe në makinë i gjeti një dozë kokainë.

Verifikimet në komisariat ndezën alarmin e kuq.

Rezultoi se 34 vjeçari Alidon Marqeshi ishte në kërkim nga drejtësia gjermane me akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim.

Ai dyshohet se është një nga autorët e masakrimit me sende të forta të 19 vjecarit Xhoi Musaj, krim i ndodhur në vitin 2017 në Gjermani.

Një 47 vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur ishte po ashtu autor i vrasjes së të riut shqiptar.

Hetimet e autoriteteve gjermane kanë faktuar se motivi i vrasjes është gjakmarrja.

Viktima 19 vjeçari Xhoi Musaj rezulton të jetë nipi i një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërorë për të cilën dyshohet të jetë edhe shkak vrasjes së tij.

I riu bashkë me familjen e tij ishte transferuar për të jetuar në Gjermani ku u ekzekutua pikërisht për ti shpëtuar hakmarrjes, pasi më herët kishte marrë kërcënime.

47 vjecari pjesëmarrës në vrasjen e Xhoi Musaj, është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani, ndërsa tashmë është radha e Alidon Merqeshi për tu përballur me drejtësinë.