Shqiparët bashkohen në Manastir, Bido: Të unifikojmë Arkivat, jemi një komb! Hasani: Mesazh për elitat politike!
Manastiri ishte ndalesa e radhës për edicionin e përvitshëm të Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që është zhvilluar më herët në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Tuz dhe në Boletin.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup) dhe me Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe (Manastir) zhvilluan punimet e Konferencës së VII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës.
Ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave të rrjeteve arkivore kombëtare u bënë bashkë në Manastir për të diskutuar mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm.
Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido dhe Skënder Hasani, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore në një lidhje me skype në studion e lajmeve në “Ora News” paraqitën detaje nga ky organizim.
“Prej ditës së djeshme dhe të sotme po zhvillohet konferenca e shtatë Mbarëkombëtare të Arkivistikës, e cila mbledh arkivistë dhe studiues nga të gjitha trevat shqiptare, tashmë në Manastir, në pjesë më lindore të trevave shqiptare, në një zonë ku sot faktkeqësisht shqiptarët janë një popullsi e vogël në një kohë që ka qenë epiqendra e shqiptarisë.
Dhe kjo konferencë vjen në vazhdën edhe për të dhënë këtë kumt, pasi konferenca e 6-të është mbajtur vitin e kaluar në Boletin, në Mitrovicën e Veriut atje ku sot po zhvillohen debate të mëdha dhe rrisqe të komit tonë. Kjo konferencë është një tentativë për të vendosur piketat jo më shumë të së shkuarës por të sotmes dhe të ardhmes së dokumentave shqipe. Për t’u unifikuar me njëri-tjetrin, për të shërbyer njësoj, mundësisht që nesër studiuesi të mos e dijë fare se dokumentin që ai kërkon e ka marrë nga arkivi i Shqipërisë, Kosovës apo i Maqedonisë së Veriut. Sepse është një dokumentacion që flet për të njëjtin komb”, u shpreh ndër të tjera kreu i Arkivit Shqiptar, Ardit Bido.
Z. Hasani, pse është i rëndësishëm ky takim, sipas jush?
Skënder Hasani, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore: “Mananistiri si kryeqendër shpirtërore por edhe një qendër e rilindjes kombëtare shqiptare dhe jo rastësisht në Manastir në vitin 1908 u bë bashkimi i rilindësve tanë për të përfunduar konceptin e shtetit komb. Dhe nga ajo periudhë deri pak vite më parë ishte lënë projekti në harresë. Dhe kjo është Konferenca e parë që po mbahet jashtë festave të nëntorit kur është mbajtur Kongresi i Manastirit, sepse ne nuk kemi dëshiruar që të mbahej atëherë, por vendosëm që të mbahej me 10 qershor, datë kur doli kërkesa e parë për autonominë e Shqipërisë në 4 vilajetet e saj dhe Manastiri ishte kryeqendër e asaj periudhe të një autonomie të Shqipërisë. Kthimi i vëmendjes tek Manastiri do të thotë edhe një porosi për elitat politike dhe shtetërore se duhet të kthehet seriozisht dhe në mënyrë urgjente vëmendja drejt Manastirit”.
Konferenca e shtatë Mbarëkombëtare të Arkivistikës
Sipas organizatorëve synimi i kësaj konference periodike është lëvrimi i lëmit të arkivistikës si shkencë e posaçme, të mëvetësuar nga historia apo shkenca të tjera të përafërta.
Në fokus të kumtesave të mbajtura janë çështjet që mbulojnë arkivat, përgjegjësinë, aksesin në të dhëna, mbrojtjen e të dhënave personale, bashkëpunimin rajonal në fushën e arkivave, trashëgiminë kulturore arkivore, trafikun ilegal të trashëgimisë dokumentare, etikën dhe arkivat, trajnimin arkivor, si dhe turizmin dhe promovimin e arkivave.
Dita e parë e punimeve të Konferencës u zhvillua më datë 9 qershor, fill pas çeljes së Këndit Arkivor, hapësirës së “binjakëzuar” të Sallës së Studimit në Tiranë.
Ky bashkëpunim i përvitshëm kurorëzohet me botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, e cila përfshin punimet e përgatitura prej kumtuesve.
Revista e përbashkët, që është e vetmja në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, ka një origjinë të hershme në botimet e vazhdueshme të institucioneve homologe përgjatë 58 vjetëve të fundit.






