Berisha për PD-në: Nuk merrem me pengjet, do merrem me pengmarrësin. Do rrëzohet me protesta
Në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij virtualë në rrjetet sociale, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se problemet madhore në Partinë Demokratike u shkaktuan nga shkelmimi i statutit.
Duke iu referuar dyshes drejtuese të PD-së, Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt, Berisha theksoi se nuk do merret me dy pengjet, por me pengmarrësin e partisë, që sipas tij, është Edi Rama.
“Problemet madhore në PD u shkaktuan nga shkelmimi i statutit. Unë jam i betuar dhe i vendosur të zbatoj me përpikmëri statutin, i cili i jep pushtetin anëtarit të PD.
Kryetari nëse humbet zgjedhjet lokale, dhe unë e quaj humbje meqë nuk fituam, ndonëse zgjedhjet janë këto që janë, statuti përcakton votëbesimin tim nga anëtarët e PD.
Analiza e këtyre zgjedhjeve do bëhet në përputhje me statutin e PD-së.
Natyrisht paralel me proceset demokratike të partisë, Edi Rama ka stisur një proces me dy pengjet e tij.
Unë mund të them vetëm kaq: pengun nuk ka forcë që e çliron nga pengmarrësi përveç vullnetit të pengmarrësit. Unë nuk merrem me pengje, do merrem me pengmarrësin Edi Rama.
...Me shumë kënaqësi mirëpres në PD të gjithë anëtarësinë e saj dhe në këtë kontekst i garantoj se zëri i tyre do të dëgjohet, propozimet e tyre do përfillen dhe nuk ka asnjë pengesë që ne nëpërmjet procedurave statusore të bëjmë zgjidhjet më të mira.
E rëndësishme është të ekzistojë vullneti dhe ndjenja e përgjegjësi që çdo demokrat dhe demokrate ka për hapjen dhe konsolidimin e PD-së, jo vetëm ndaj anëtarëve të saj, por ndaj mbështetësve dhe simpatizantëve të saj”, deklaroi Sali Berisha.
Berisha u shpreh i bindur se demokratët do qëndrojnë, pasi kanë besim të plotë se kauza e tyre do triumfojë.
“Ky proces në Shqipëri ndaj forcës politike opozitare në Shqipëri është i pashembullt, ky proces shënon një puç të paimagjinueshëm ndaj forcës kryesore politike opozitare dhe njëherazi shënon një proces për shkatërrimin e një kombi.
Historia e Shqipërisë dëshmon se më e egër se lufta, më e egër se fatkeqësitë natyrore për stabilitetin e një kombi qenka shkatërrimi i opozitës.
Procesi i shkatërrimit të opozitës nuk ka nisur me shpalljen non-grata të Sali Berishës, ky proces është më i hershëm.
Ky proces nisi kur ambasadori i vendit më mik, demonstronte me megafon para parlamentit kundër opozitës, në një akt të pashembullt në historinë e botës.
Ky proces vazhdoi me kontraktimin e McGonigal, kryezbuluesi i botës, në një kohë kur ishte në detyrë, kontraktimi për të bërë gjahun e shtrigave ndaj opozitës shqiptare.
Ky proces vazhdoi me bekimin superurgjent të zgjedhjeve të 25 prillit, në kundërshtim me flagrant me atë që shkruhej në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtare. Sepse duhej që Edi Rama të ishte në pushtet dhe opozita të merrte çdo lloj ndëshkimi.
Të gjitha këto nuk ishin motive që unë të dorëzohesha, por këto ishin motive që unë të qëndroja në emër tuaj, në emër të opozitarizmit shqiptar.
Ju e patë çfarë ndodhi. Për herë të parë në histori, forca kryesore opozitare futet në zgjedhje pa logon e saj, pa vulën e saj. Kandidatët e saj futen në zgjedhje me zero financime.
Të gjitha këto për të zhdukur një forcë që qëndron për vlerat dhe sovranitetin. Unë ju kuptoj për shqetësimin që keni, por mendoj se misioni ynë duhet të vazhdojë.
Ne i dëshpëruam ata që u përpoqën të asgjësojnë PD-në si forcë politike sovrane. Ne do qëndrojmë, kemi besim të plotë se kauza jonë do triumfojë”, deklaroi Berisha.
Berisha u shpreh se një kryeministër që nuk do të dorëzojë pushtetin, rrëzohet me protesta dhe vetëm me protesta.
“Dilema jonë është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Por nga ana tjetër, cila është zgjidhja?
Shumicë demokratësh dhe jodemokratësh, mendojnë se PD ka nevojë për një proces hapje të madhe dhe riorganizimi dhe unë jam plotësisht dakord me ta dhe i garantoj se personalisht do bëj çdo gjë në këtë proces.
Dhe është punuar, ka jo pak njerëz që nuk e kuptojnë se PD-në e shpëtoi hapja, e shpëtuan primaret, e shpëtoi institucioni i kandidatëve të lirisë, përndryshe ajo do ishte arkivuar në memorien e njerëzve.
Ky institucion i ri i krijuar tërhoqi në kushtet më të jashtëzakonshme votat e 500 mijë shqiptarëve.
Nga ana tjetër, e vërteta është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe nëse nuk përballemi, ky, pasi e ka shpallur Kodin Zgjedhor një kinezëri, me votë nuk ikën kurrë nga pushteti.
Si ish-kryeministër ju garantoj se në rast se një kryeministër vendos të mos dorëzojë pushtetin, me votë atij pushteti nuk i merret.
Nuk i merret sepse ai ka në dorë dhe disponon mekanizma gjigante me të cilat kontrollon pamëshirshëm votën e qytetarëve.
Imagjinoni për një moment këto zgjedhje, një industri gjigante e blerjes së votës.
Vetëm me vendime qeveritare u shpërndanë gjatë fushatës, bonuse dhuratë për 683 mijë pensionistë dhe 180 mijë punonjësve iu rritën rrogat.
Nuk ndalem këtu në qindra milionë euro të shpërndara nën dorë. Vetëm partia e Doshit u rrit me 310 përqind, kur Doshi u garantoi se nuk ka shpërndarë as një të dhjetën e parave që ka shpërndarë Edi Rama.
U ndala për të tërhequr arsyetimin dhe vëmendjen tuaj se një kryeministër që nuk do të dorëzojë pushtetin, rrëzohet me protesta dhe vetëm me protesta. Dhe unë i qëndroj këtij parimi”, tha Berisha.






