Të burgosur dhe krijues/ 50 vite nga revolta e Spaçit, zbulohen tekstet që bënë bujë
Ceremonitë e organizuara në kujtim të revoltës së Spaçit kanë zbuluar dhe kuriozitete që pak I dinin. Madje një nga tekstet që kanë bërë bujë është realizuar pikërisht në një prej qelive të këtij burgu famëkeq i periudhës së komunizmit
Koncerti përkujtimor “Tingujt e kujtesës” është rikthyer në 50-vjetorin e revoltës së Spaçit. Në këtë mbrëmje u ndërthur muzika, poezia me dëshmitë historike.
“Në pijetore unë jam ulur”, është një prej këngëve të njohura për publikun por pak kush e di se ajo është krijuar pikërisht në qelitë famëkeqe të vitet ‘70.
"Kënga ishte kënduar në burgun e Spaçit, 5 apo 6 të diela rresht, në ato pak orë të lira që ju lejonte komanda e burgut në një ambjent që quhej salla e lojrave. Refreni i këngës këndohej nga një kor të burgosurish që drejtohej nga bas-i i mirënjohur Lukë Kaçaj. Të gjithë këta artistë të shkëlqyer ishin të burgosur njekohësisht në Spaç."
Aktorja Ema Andrea moderoi dhe interpretoi poezi të poetëve të dënuar në Spaç për motive politike, Visar Zhiti, Sadri Ahmeti, Havzi Nela etj.
Mezosopranoja Vikena Kamenica, baritoni Ylber Gjini, pianistja Kristina Laço, violinicelistja Dorina Laro dhe violinisti Fatos Bardulla sollën jo pak emocione.
‘Let it be’ një homazh për këngëtarin dhe ish-të dënuarin e Spaçit, të ndjerin Sherif Merdani.
Koncerti u mbyll me dokumentarin e shkurtër të vlerësuar me çmime ndërkombëtare “Çarçafët e bardhë” kushtuar artistit dhe arkitektit shumëdimensional, ish i burgosur politik në Spaç, të ndjerit Maks Velo.
