Shkencëtarët e teknologjisë në Tiranë/ 730 ekspertë bëhen bashkë për linjat e komunikimit përmes rrjetit

730 ekspertë të teknologjisë së informacionit janë bërë bashkë në Tiranë. Konferenca shihet prej tyre si një mundësi jo vetëm e krijimit të lidhjeve, por edhe të trajtimit të problematikave sa i përket komunikimit online.

Pas 20 vitesh konferenca më e madhe europiane në fushën e Teknologjisë së Informacionit është kthyer në Ballkan.

730 pjesëmarrës nga 58 vende të botës janë bërë bashkë në tiranë për të prezantuar projektet.

Drejtori i “Academic Network of Albania" Arjan Xhelaj foli për risitë.

Arjan Xhelaj: “Është eventi i vitit. Pasi kjo është konferenca më e madhe dhe prestigjioze në fushën e teknologjisë së informacionit. Vetë Rrjetin Evropian i Kërkimi dhe Zhvillimit në fushën e teknologjisë ofron shërbime për mbi 50 milionë përdorues dhe mbi 10 mijë institucione arsimore e kërkimore. Plus kësaj, kanë ardhur dhe shumë përfaqësues nga kontinente të tjera nga SHBA, Amerika Latine, Azia”.  

Ngjarja ndihmon studentët shqiptarë jo vetëm të krijojnë kontakte, por njohjen me rrjetet e sigurta të shkëmbimit të të dhënave për të hyrë në arkiva apo biblioteka të ndryshme.

Arjan Xhelaj: “Do të thoja që në vitet kur kemi ekspansion në fushën e teknologjisë ka ndryshuar orientimi i maturantëve, të cilët dikur ata përzgjidhnin kryesisht ekonomiku, juridiku, shkencat politike e sociale, tani janë orientuar drejt tregut ku kërkohen në Teknologji të Informacionit, Telekomunikacioneve, inxhinieritë, por edhe mjekësia që është trendy në kohët e fundit dhe që siguron punësim të shpejtë”.

Konferenca do të qëndrojë e hapur deri më datën 9 qershor në Pallatin e Kongreseve!