Muzikë deri në mesnatë gjatë sezonit veror, Bello: Policia, përgjegjëse për masat
Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot në parim ndryshimet në ligjin “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, përmes së cilave bëhet ndarje e qartë e kompetencave ndërmjet institucioneve qendrore dhe vendore, për monitorimin e nivelit të zhurmës në zona publike.
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello e cila prezantoi ndryshimet e propozuara, deklaroi se viti i kaluar tregoi se duhet të kemi një menaxhim më të mirë të zhurmave në zonat turistike dhe urbane.
Sipas saj, pr/ligji përcakton që për mjediset e hapura në zona apo qendra të banuara dhe në zonat turistike, muzika lejohet nga ora 12:00 deri në orën 24:00. Brenda orarit të lejuar, personat fizikë e juridikë respektojnë nivelin kufi të zhurmës, të përcaktuar.
Bello tha se me propozimet e reja në pr/ligj, përcaktojnë që do të jetë Policia e Shtetit përgjegjëse për marrjen e masave për ruajtjen e qetësisë publike nga veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika mbi nivelet e lejuara kufi, nëpërmjet kontrollit me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës të personave fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari që lëshojnë zhurmë nga muzika.
Ndërhyrjet në ligj erdhën pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, turistë të huaj, por edhe nga vetë operatorët ekonomikë, kryesisht në zonat turistike.
Referuar raportit “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona, 2021”, nga Co-Plan, citohet se si rezultat i matjeve të kryera gjatë viteve 2018-2021 rezulton se të dhënat për ndotjen e zhurmës konfirmojnë se tejkalojnë standardin e lejuar, si gjatë paradites edhe gjatë mbrëmjes. Në total, vlerësohet se mbi gjysmë milion qytetarë të Republikës së Shqipërisë operojnë çdo ditë nën ekspozimin dhe ndikimet e zhurmave dhe ndotësve të ajrit. Rëndësia e monitorimeve dhe përmirësimi i pritshëm i situatës është një emergjencë, që prej vitit 2000.
Këto të dhëna tregojnë se ndotja nga zhurma përbën një prej ndotësve kryesorë të mjedisit shqiptar dhe kryesisht zonave urbane e turistike, si në shtrirje territoriale ashtu dhe në sasi, duke treguar se masat për të gjetur një zgjidhje definitive janë sa të nevojshme, të justifikuara aq edhe emergjente.
Ka zona në qytetet e mëdha të vendit apo zonat turistike, siç është për shembull rasti i zonës së ish-bllokut, ku ndotja akustike mbetet po aq problematike, për shkak të muzikës së lartë në lokalet e shumta që frekuentohen kryesisht nga grupmoshat e reja. Oraret e muzikës janë kufizuar dhe pas mesnate është thuajse qetësi. Megjithatë, para kësaj ore ka shumë lëvizje dhe shpeshherë kalon nivelet kufi.



