PD KËRKON NJË KRYETAR/ Basha: Kandidimin do ta vendosin anëtarët. Dhuna në Kryesi, i përplas në Kuvend
Nisja e fushatës për zgjedhjen e kryetarit të PD-së së cilësuar zyrtare i gjen deputetët të ndarë. Lulzim Basha paralajmëron kandidimin por shprehet se këtë do e vendosin demokratët. Kriza megjithatë nuk është shuar, Enkelejd Alibeaj u përplas mes Gazmend Bardhin për dhunën e dy ditëve më parë, ndërsa deputetët kërkuan të mos ketë rikandidime
Lulzim Basha në përballjen e parë me mediat pas mbledhjes së shumëpërfolur të kryesisë deklaroi se distancohet nga dhuna. Madje ai tha se propozon dhe përjashtimin e personave që u futën në seli e kërcënuan anëtarët anëtarët dhe median duhet të përjashtohen nga PD. Por ai as mohoi e as pohoi kandidimin.
Lulzim Basha: “Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo sjelle, fjalët, banalitetet dhe kërcënimet që janë shkëmbyer gjatë një tensioni. Në mënyrë absolute jeni dhe keni mbështetjen time personale dhe politike. Sikurse keni distancimin e plotë. Ky nuk është modeli ime.
Shpesh herë kam marrë edhe kosto. Analistë thonë që jam i butë, por nuk jam i butë, por jam i vendosur. Personat që e kanë bërë jo vetëm që nuk kanë mbështetjen time por nëse janë anëtarë të PD-së, propozimi im është që të mos jenë më anëtarë të PD-së.
Unë e kam treguar me vepra që marr vendime në interes të demokratëve me aktin e 21 marsit, ndaj dua t’i them çdo demokrati që dhe në vendimet që do marr do udhëhiqem nga interesi i demokratëve. Vendimin do ta bëj të ditur në momentin e duhur”.
Në oborrin e Kuvendit për ngjarjen reagoi dhe Enkelejd Alibeaj, por ai nuk pranon të ketë pasur dhunë dhe qëndrimet e Gazment Bardhit i cilësoi emocionale.
Enkelejd Alibeaj: “Qëndrimet emocionale mos i merrni. Deri diku po (U pyet nëse edhe Bardhi pati një qëndrim emocional). Në mbledhjen për aq sa zgjati, ane prej anëtarëve të Kryesisë nuk ka qenë në presion. Unë isha në mbledhje, po them atë që mendoj dhe perceptoj unë. Ka pasur qëndrime të ndryshme, ku kanë brenda emocione dhe tensione. Por nuk është kërcënim. S’ka pasur presion. Ju mund ta perceptoni kështu. Nëse ju e konsideroni veten anëtarë të Kryesisë, edhe mundet”.
Kriza mes PD së cilësuar zyrtare u shfaq edhe një herë kur vet Bardhi iu përgjigj ish kryetarit të komanduar
Gazment Bardhi: “Uroj që mos të deformohet ajo që kam thënë. Të dhunosh verbërisht apo të shantazhosh e fyesh deputetë, anëtarë të Kryesisë, pse ata kanë një mendim ndryshe, është sjellje prej një grupi militar dhe jo sjellje demokratike ku secili shprehet i lirë, bazuar në ato që beson. Kam dëgjuar se qëndrimi im ka qenë emocional. Jo nuk ka qenë. Qëndrimet e vërteta nuk kanë asgjë të keqe. Kam pasur qëndrim parimor. Kam dënuar dhunë verbale, kur është përdorur nga grupi i Berishës. Do të dënojë fyerjet dhe shantazhin ndaj gazetarëve edhe kur vijnë nga anëtarë të PD. Nuk mundem të toleroj asnjë dhunë.”
Deputetët pjesë e kryesisë ku u vendos zgjedhja në korrik e kryetarit të PD dhe një herë shigjetuan Bashën
Ervin Salianji: “Interesat private dhe ekonomike të disave te pjesa e vulës ka bërë që te PD të mos ketë më parti. Nëse s’do ishte dhuna ndaj gazetarëve, do ishte si një sherr në lagje. Aty është një njeri i cili e ka marrë peng partinë, ish kryetari nuk u dorëhoq. U detyrua të largohej, por vazhdon ta marrë zvarrë atë parti. Do të tretet bashkë me partinë dhe bashkë me logon”.
Të mërkurën pas 9 orë mbledhje me 17 vota pro u vendos të nisë zgjedhja e kryetarit, ndërsa një pjesë e anëtarëve të Kryesisë braktisi sallën.






