Bardhi mbledh deputetët, Salianji: Lëvizje personale e nxituar, nxit sherre edhe në PD-në e vulës
Në një intervistë për RTVv Ora, deputeti demokrat Ervin Salianji u shpreh se lëvizja e ndërmarrë nga PD zyrtare sot nuk hap rrugë për bashkimin e demokratëve.
Ai tha se kjo është një rrugë për të hapur fronte të reja, sherre edhe brenda partisë së vulës, dhe duke bërë që të favorizohet Rama dhe duke mos diskutuar për vjedhjet e qeverisë dhe zgjedhjet.
Salianji: Kjo është një lëvizje e një grupi të vogël në PD që ka më shumë njerëz në pozicione sesa në terren. Lëvizja e sotme ishte për të treguar se ka ambicie për të drejtuar atë pjesë të vulës që ka mbetur. Një lëvizje e tillë nuk hap rrugë për bashkimin e demokratëve, por për t’i krijuar parti të reja nga PD. Më duket një hap i nxituar i bërë pa kërkuar gjithë deputetët e listës së PD-së. Duhet të diskutonim se cilat janë rrugët më të mira për ta bërë PD-në konkurruese.
Kjo është një rrugë për të hapur fronte të reja dhe sherre edhe brenda partisë së vulës, dhe duke bërë që të favorizohet Rama dhe duke mos diskutuar për vjedhjet e qeverisë dhe zgjedhjet. Fakti që nuk ka vullnet për tu ulur, por ka qëndrime vetëm nga një grup deputetësh duke kërkuar që të ndahen dhe duke mos përfshirë kolegët e tjerë, sigurisht që këto nuk janë gjasa të mbara. Demokratët e dinë se këto lëvizje pse bëhen këto lëvizje për interesa personale dhe do t’i ndëshkojnë. Ky nuk është momenti për të mbajtur karrige, por të gjithë të cedojmë nga vetja në mënyrë që të mundin qeverinë.

