EKSKLUZIVE/ VIDEO-dëshmia e skandalit në Kuçovë. Anëtari i GNV-së: Kryetari i Bashkisë dhe kreu i KZAZ na urdhëruan të zhduknim procesverbalin origjinal
Detaje të reja dalin nga ajo çfarë ka ndodhur me procesin e votimit dhe të numërimit të votave në zgjedhjeve vendore të 14 majit të realizuara në bashkinë e Kuçovës.
Një prej anëtarëve të grupeve të numërimit të votave në KZAZ-në e Kuçovës përmes një video-dëshmie të siguruar ekskluzivisht për “Ora News” pohon se ata janë urdhëruar që të heqin nga kutitë e materialeve zgjedhore procesverbalin origjinal të numërimit të votave.
Në dëshminë e tij, anëtari që pretendon se ka qenë përfaqësues i subjektit politik Partia Socialiste thotë se urdhri për zhdukjen e këtij procesverbali është dhënë nga kryetari i bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari dhe i zbatuar nga kryetari dhe sekretari i KZAZ-së.
Po ashtu, anëtari “i penduar” në dëshminë e thotë se nuk e ka zbatuar këtë urdhër dhe i ka ruajtur materialet origjinale duke shtuar se është gati t’ia vërë në dispozicion edhe institucioneve të drejtësisë për të dëshmuar atë çfarë ka ndodhur në të vërtetë në zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Kuçovës, ku dhe vetë kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Lefter Maliqi e ka çuar këtë çështje në SPAK për hetim.
VIDEO-DËSHMIA e anëtarit të numërimit të votave
“Kam qenë tek procesi i numërimit (të votave) në Kuçovë me Partinë Socialiste.
Ditën e numërimit më është dhënë urdhri që të zhdukim procesverbalin origjinal të mbylljes së kutisë.
Kjo është dhënë me urdhër nga kryetari i Bashkisë dhe na është njoftuar nga kryetari i KZAZ-së, Erald Isai dhe gjithashtu nga Sekretari, Romeo Ariu.
Ne e kemi bërë këtë gjë, i kemi hequr procesverbalin origjinal nga kutitë dhe që nga ajo natë e deri më sot e kam vuajtur këtë gjë dhe kam qenë gjatë gjithë kësaj kohe me frikën se mos e vërteta do të dali në shesh edhe që do të dënoheshin për këtë gjë që ne kemi bërë me urdhër të këtyre personave.
Mua për këtë gjë më ka vrarë ndërgjegja dhe dua që të dalë e vërteta në shesh, dhe të gjithë autorët e kësaj gjëje të ndëshkohen, qoftë edhe unë vetë.
Nga e gjitha kjo, e vetmja gjë që nuk jam bërë pishman është që procesverbalet që na u urdhëruan që të hiqen, unë i kam mbajtur dhe i kam gati që t’ia postoj të gjithë institucioneve në vend”.






