Veliaj nis turin e falënderimeve: Mirënjohje çdo qytetari që na votoi dhe çdo socialisti që kontribuoi

Turin e falënderimeve Erion Veliaj i zgjedhur në mandatin e tretë në krye të Tiranës e ka vazhduar në njësinë 13.

Pas mbylljes së procesit ai prezantoi projektet që do të vijojnë në këtë zonë.

 “Tani që kemi zgjidhur dhe problematikën e lotit të fundit të shkollave, të vijojmë me dy shkollat e fundit që kemi te Liqeni i Thatë dhe të sigurohemi që, edhe te cepi i Kopshtit Botanik, por dhe te Parku Olimpik, të ngrihen dy shkollat e reja, për t’i provuar çdo skeptiku që nuk i bëjmë për fushatë. Tani që mbaroi fushata do bëjmë dy herë më shumë, thjesht për të garantuar që qytetarët e kanë çuar votën jo te një entuziazëm i momentit elektoral, por te një organizatë, te një ekip, te një parti si partia jonë, që në fakt punon përditë, sikur çdo ditë të jetë dita e fundit e fushatës,” tha ai.

Duke falenderuar bashkëpunëtorët në fushatë ai solli në mendje periudhën kur të majtët dhunoheshin nga pushteti.

“Ka qenë një kohë kur ishe socialist dhe rriheshe në mes të sheshit “Skënderbej”. Kur protestoje si ne 21 Janar, vriteshe me plumba në mish. Për të gjithë ata që janë thinjur në shërbim të forcës sonë dhe të familjes sonë, në ditët më të vështira ku nuk ishte e modës, kur nuk ishim shumicë, meritojnë të gjithë duartrokitjet, gjithë urimin, gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë. Ne e kemi këtë betejë për mendjen dhe zemrat e njerëzve. Nuk e kemi për sytë dhe për xixat, edhe për fishekzjarret, edhe për ekranet led, edhe për kostot e stadiumit. Ne këtë e kemi për të dhënë njerëzve një mesazh që aty ku disa kanë mbjelle sherr dhe përçarje, ne do mbjellim pemë dhe oksigjen. Doli që vërtetë fushata ishte me kosto të vogël, por me fitore të madhe,” tha ai.

Në kryeqytet partia socialiste mori edhe 34 anëtarë të këshillit bashkiak duke siguruar shumicën e duhur për miratimin e vendimeve.