Spiropali: Do ta bëjmë Shkodrën qendër rajonale, kur më tha Rama se do jem drejtuese e qarkut, u habita
Drejtuesja politike e PS në qarkun e Shkodrës, Elisa Spiropali deklaroi sot se, do ta bëjnë Shkodrën qendër rajonale.
Në takimin falënderues në qytetin e Shkodrës, për zgjedhjet e 14 majit, Spiropali falënderoi qytetarë e Shkodrës që i besuan Partisë Socialiste drejtimin e bashkisë së Shkodrës.
“Falënderoj ata që kanë punuar, që kanë besuar në fitoren tonë të madhe të bukur dhe të pastër me Benet Becin. Një përqafim të madh për Postribën, për Gurin e Zi, Dajçin, Bërdicën, Shalën, Shoshin, Pultin dhe lagjet e Shkodrës, që na besuan dhe votuan”, tha ajo.
Spiropali falënderoi edhe familjet e djathta, të cilat theksoi ajo, kanë pasur arsyet e tyre të forta për të mos besuar tek PS për vite, herë tradita, e herë padrejtësia e prekjes së plagëve të së shkuarës, për të mos lënë të ardhmen të vijë.
Por, shtoi ajo, “këtë radhë na kanë votuar me besimin që ne do punojmë njësoj për të gjithë, pa dallim të majtë e të djathtë, për të gjithë Shkodrën, për ta bërë atë një qendër rajonale, kryeqendrën e veriut”.
Në vijim, Spiropali tha se, “kur Edi Rama në mbledhje të kryesisë së PS, shqiptoi fjalët Elisa Spiropali, drejtuese politike e Qarkut Shkodër, u habita. Nuk e kuptoja se ç’lidhje kisha të drejtoja qarkun Shkodër, duke pasur edhe këtë vulë që merrem me “non gratën” në parlament, thashë do të shkoj në Shkodër dhe nuk do më presë njeri fare. Faleminderit që më pritët dhe në çdo njësi e organizatë punuam bashkë për këtë fitore! Përtej gardheve politike, duhet të ketë një politikë që ndryshon realitetet”, tha ajo.
