Çuçi: Kontroll të plotë të territorit në të gjithë bashkinë e Shkodrës, kemi rritur luftën ndaj krimit të organizuar

Në takimin e falënderimit për zgjedhje e 14 majit në Shkodër, ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, premtoi se, “ne do të bëjmë gjithçka që të vendosim një kontroll të plotë të territorit në të gjithë bashkinë e Shkodrës”.

Në fjalën e tij, Çuçi vuri theksin te lufta e vazhdueshme e Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar në Shkodër dhe rezultatet e arritura.

“Për fat të keq Shkodra ka qenë një nga ato zona e nxehta sa i takon krimit, veçanërisht krimit të organizuar dhe trafiqeve në këto 30 vitet e fundit. Ne jemi përpjekur shumë. Kemi bërë shumë. Kemi shumë arritje, diku kemi fituar mbi të, diku nuk ia kemi dalë me sukses si duhet, por sot jemi këtu sepse është një moment i veçantë për Shkodrën, sepse është një moment historik i çlirimit të energjive në Shkodër. Dhe të gjitha këto energji që çlirohen me këtë fitore historike kanë nevojë për një mjedis të sigurt”, tha ai.

Po ashtu, Çuçi premtoi më shumë siguri për Shkodrën, duke rritur luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve.

“Jemi këtu të premtojmë se ne do të bëjmë gjithçka që të vendosim një kontroll të plotë të territorit në të gjithë bashkinë e Shkodrës dhe të mos cenohet asnjë pjesë e territorit nga krimi i organizuar dhe trafiqet. Këtë kemi filluar ta bëjmë duke ristrukturuar në qendër të gjithë strukturën e policisë, duke profilizuar figura, natyra të ndryshme të krimit me sektorë që fokusohen për krime të caktuara, me fokus të veçantë për krimin e organizuar. Dhe këtë ristrukturim të plotë, do ta shtrijmë edhe në Shkodër, në mënyrë që të jemi më efikas në këtë betejë, që besoj se për Shkodrën është një faqe e re historike, me këtë fitore historike. Besoj se shumë shpejt ju vetë do ta ndjeni ndryshimin që do të vijë nga gjithë ky ristrukturim që po i bëjmë ne, edhe Policisë së Shtetit në vijimësi, në të gjithë Shqipërinë, por edhe këtu në Shkodër”, tha Çuçi.