“Dushku i radhës”, Berisha: Tom Doshi ishte në aleancë me Ramën dhe Bashën për blerjen e votave

Pa artikuluar asnjë herë alternativën e saj politike, Partia Social-Demokrate e Tom Doshit ka arritur të dalë forcë e katërt në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke marrë plot 116 mandate këshilltarësh në rang kombëtar.

Dhe pikërisht kjo e dhënë për Sali Berishën është tregues i qartë i asaj që ai e cilëson si masakrën e vjedhjes së votave në zgjedhjet vendore të së dielës.

Në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij virtualë në rrjetet sociale, Berisha thotë se Tom Doshi ishte në aleancë me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën për blerjen e votave, duke shkaktuar “Dushkun e radhës”

“Mendoj se zgjedhjet janë një provë, një test në çdo forcë politikë në botë.

Përveç Bashës dhe Alibravës, unë nuk di deputet tjetër që nuk kanë mbështetur kandidatët e primareve.

Në këtë kontekst, e vërteta është se ata kanë qëndruar brenda parimeve të statutit dhe të PD-së.

Ne po bëjmë një analizë me përgjegjësi të plotë të dramës së këtyre zgjedhjeve.

Unë kuptoj dhe mirëkuptoj plotësisht çdo kërkesë nga mbështetësit tanë dhe jo vetëm, që PD të bëjë një analizë transparente dhe i garantoj se PD do e bëjë.

Por ne jemi të angazhuar non-stop për të identifikuar dhe vërtetuar gjithçka bëri këto zgjedhje më të dhunuarat në historinë e Shqipërisë.

Analiza e deritanishme tregon në mënyrë të qartë si kristali se në një seri bashkish nga veriu në jug, koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ i janë marrë përdhunshëm mandatet.

I janë marrë mandate me forcën e bandave nga veriu me përqendrim maksimal në Shkodër, Kurbin, Lezhë, Durrës, Elbasan, Sarandë, Vlorë, Korçë dhe një seri rrethesh të tjera.

Zgjedhjet u blenë haptas sepse mbi 100 mln euro u shpërndarë për asfalte, zhavorre dhe rindërtime.

Pra, kemi të bëjmë me një fenomen që nuk ka ekzistuar. Rrogat dhe pensionet nuk janë rritur kurrë dhe nuk janë përdorur kurrë për fushatë elektorale.

Ndërkohë, shpërndarja nën dorë, makineria mafioze e blerjes së votës, duke dhënë nën dorë edhe gjer në 600 euro për votë, duke u ofruar komisionerëve 10 mijë euro, edhe 20 milionë lekë, ishte në proporcionet më të paimagjinueshme.

Sigurisht që blerësi kryesor i këtyre votave është Edi Rama dhe makineria e tij e narkoshtetit.

Por kemi një fakt kësaj herë. Dushkun Doshi. Tek po vija këtu, një aktiviste më shkruan nga Peshkopia, se këtu në rrethin tonë, një parti pa seli, pa kryetar dhe pa anëtar, ka fituar 6 këshilltarë me faktin e vetëm se Doshi ka sjellë thasët me para dhe ka shpërnda thasët me para.

Ajo nuk e ka bërë këtë vetëm në Peshkopi. Në këto zgjedhje ai ka marrë mbi 200 mijë vota, pa mbajtur njëherë të vetme një fjalim, pa bërë një herë të vetme një takim, pa paraqitur kurrë në jetën e tij një program, përveç aleancës me Edi Ramën dhe Lulzim Bravën, i cili i dha me firmë të njerëzve të tij, komisionerët dhe numëruesin në një shumicë bashkish të vendit.

Ne po bëjmë një analizë shumë serioze në zotimin tonë se do të mbrojmë votën e shqiptarëve dhe në mënyrë absolute do marrim të gjithë vendimet se kjo dëshmon se këtu zgjedhje të vërteta përveçse farsë, nuk ka.

Ju siguroj se radioskopia do bëhet e plotë. Votëbesimi është i domosdoshëm se është ligj i statutit.

Por ne jemi forcë politike serioze. Në rast se kthehemi në prill të vitit 2021, dy ditë pas zgjedhjeve unë kam bërë një artikull, ku kam shkruar se vota vdiq pa hyrë në kuti. Dhe kam thënë një të vërtetë.

Por kam kërkuar që të bëhet çdo qëmtim, çdo hetim, çdo përpjekje për të evidentuar gjithçka pësoi vota në ato zgjedhje.

Gjatë kësaj fushate, unë u kam premtuar shqiptarëve se PD do mbrojë votën, duke theksuar se nuk e mbron me armë, se mbrojtja e votës është një proces.

Unë ju kuptoj ju, por e konsideroj jetike se do ishte gjëja më e pandershme nëse ne do vinim në diskutim një rezultat pa fakte, pa dokumente të padiskutueshme.

Kur them se në këto zgjedhje janë marrë mandate, ne kemi fakte të pakundërshtueshme.

Shkodra ka njohur në ditën e votimit, terrorin e bashkimit të të gjitha bandave, që u bashkuan për të vendosur Shkodrën nën terror të votës.

Ndonëse të gjitha pollet e nxirrnin fitimtar Bardh Spahinë, ju e patë rezultatin që doli.

Autokolona e bandave me makina të blinduara kalonte nga qendra në qendër. Velipoja u vendos në pushtim të plotë nga Pëllumb Gjoka, i cili ka një motel dhe Edi Rama dhe Olsi i japin licencë për kazino edhe pse ligji thotë duhet hotel me pesë yje.

Nëse nuk qëndrojmë ndaj këtij krimi monstruoz, shanset e këtij vendi për zgjedhje janë inekzistente.”, deklaroi Sali Berisha.