Shqiptarja që garon në zgjedhjet e Greqisë, Pati Vardhami: Ja çfarë ofroj për bashkëkombësit, do e nisim nga nënshtetësia
Të dielën, në Greqi mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa gara është e fortë mes partive të pushtetit dhe atyre në opozitë.
Në zgjedhjet e vendit fqinj garojnë edhe kandidatë shqiptarë, dhe njëra prej tyre është Pati Vardhami.
Ajo është pjesë e partisë MeRA25, parti, e cila drejtohet nga ish-ministri i Financave të Greqisë gjatë kohës së krizës ekonomike Yanis Varoufakis, i cili në atë kohë ishte pjesë e SYRIZA-s.
Në një intervistë për “Ora News”, Vardhami shpalosi agjendën e saj politike dhe programin politik, kryesisht për komunitetin shqiptar, i cili jeton dhe vepron në shtetin grek.
“Arsyeja se pse jam me këtë parti është se besoj se MeRA25 ka teza politike dhe synime progresive për sa i përket jo vetëm ekonomisë dhe politikës së gjerë, por edhe çështjeve sociale që kanë të bëjnë shumë me emigracionin, me të drejtat e grave, me të drejtat e shumë grupeve sociale.
Dhe besoj se është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i një partie të tillë politike. Shqiptarët si problem të tillë duhet thënë se ata nuk kanë të drejtë vote. Dhe nisur nga kjo, një gjë që duhet folur në Greqi është nënshtetësia.
Ajo ka filluar t’i jepet brezit të ri dhe kjo me një hap shumë të ngaldajtë, pasi do të donim që kjo të bëhej sa më shpejt, por për brezin më të madh çështja e nënshtetësisë nuk bëhet fjalë dhe përveç votimit kjo pjesë privohen edhe nga shumë të drejta të tjera politike. Dhe ky është një problem shumë i madh”, u shpreh ndër të tjera Pati Vardhami.





