VIDEO/ Interi në "parajsë", Milani në "ferr", zikaltërit në finalen e gjashtë të Champions League
Ndeshja e parë 2-0 dhe goli i Lautaros në të dytën që ishte "qershia mbi tortë", Interi në finalen e 10 qershorit në Stamboll, Milani në shtëpi. Nuk ndryshoi asgjë ndeshja e kthimit në "San Siro" me zikaktërit pritës dhe kuqezinjtë në kërkim të një goli që mund ndryshonte fatin e përballjes që u vendos me fitoren 2-0 të një jave më parë.
Lautaro martinez në minutën e 74 më pas vrau çdo shpresë në kampin kuqezi.
Pak emocione në sfidën e kthimit ku Leao në fushën e lojës tentoi të jepte shkëndija por skuadra e Piolit nuk i ndez e madje u shfaq sërish apatike dhe pa forcë për të vemdosur në rrezik Interin që kontrolloi sfidën dhe nuk tregoi për asnjë moment dëshirë për të marrë një tjetër fitore edhe pse 16 minuta nga fundi Lukaku dhuroi një top për argjenrinasin që ngriu Maignan në shtyllën e parë.
Inzaghi e kishte ndërtuar ndeshjen me pragmatizëm dhe e arriti objektivin finale ku Interi rikthehet pas 13 vjetësh. Për herë të fundit e fitoi në Madrid me Jose Mourinhon në stol. Tashmë zikaltërit presin vetëm të mësojnë emrin e kundërshtarit që do të caktohet nesër në këtë orë.
Interi ka fituar tre finale ndërsa në dy raste është mundur nga Celtic dhe Benfica. Në 10 qershor, skuadra zikaltër e Milanos do të kërkojë Champions League-n e katërt në histori.
