Policia e Durrësit zbardh aksidentin në det të hapur mes tragetit dhe peshkarexhës, ku u rrezikua jeta e 3 peshkatarëve

Policia Kufitare e portit të Durrësit ka zbardhur dinamikën e operacionit të shpëtimit të 3 shtetasve që lundronin me një peshkarexhë me konstrukt druri, dhe rrezikonin të mbyteshin, pasi peshkarexha iu fundos në det.

“Rreth orës 00:05, QNOD ka njoftuar Policinë Kufitare të portit të Durrësit, se 3 shtetas që ndodheshin në një motopeshkarexhë, kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të mbyteshin në det.

Menjëherë në ndihmë të tyre është nisur Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare.

Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të portit të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha iu ishte fundosur në det.

Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para dyshohet se motopeshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Policisë Kufiutare të Portit të Durrësit.