Rama në Rrëshen: Ata që shkojnë të votojnë të shpallurin ‘non-grata’ nuk kanë lidhje me të djathtën

Kryeministri, njëherësh kryetari i PS, Edi Rama zhvilloi sot një takim me qytetarët në Rrëshen, ku prezantoi kandidatin e PS për kryetar bashkie të Mirditës, Ndrec Deda.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se ata që votojnë kandidatët e kolaicionit “Bashkë Fitojmë” të mbështetur nga Sali Berisha, i shpallur ‘non-grata” nga SHBA dhe kreu i PL, Ilir Meta, nuk janë të djathtë.

“Kur këta miq të mëdhenj që na i hoqën nga duart e na i hoqën nga sytë për gjysmë shekulli kur na mbyllën brenda të gjithëve në një bunker të madh dhe këta miq, këta aleatë të mëdhenj, Amerika në radhë të parë që ka qenë ylli polar i të gjithë atyre në Mirditë që i kanë thënë vetes patriot dhe anti komunist, që janë paraardhësit e atyre që këtu në Mirditë sot i thonë vetes të djathtë. Pra kur këta na i bëjnë me shkrim, jo mua, s’ma bëjnë mua, nuk ia bëjnë as atij gërdallës, ia bëjnë shqiptarëve të gjithëve se po të ishte puna për një person s’kishim pse e bënim me shkrim. Sa njerëz dënohen, sa njerëz ndëshkohen, sa njerëz ekstradohen, sa njerëz përjashtohen nga mundësia për të kapërcyer pragun e Amerikës, por kur e bëjnë me shkrim, e thonë me zë, dalin me figurë dhe e përsërisin që ky individ që ju e keni pasur në krye me vite dhe që vjen vërdallë akoma dhe kërkon votën tuaj është i padëshirueshëm për ne ose shqip: nuk e shohim dot me sy prandaj na i hiqni nga sytë, dhe këta të djathtët të vazhdojnë e t’i shkojnë mbrapa e të vazhdojnë e të thotë do ta votojmë, e të nisen në 14 maj e të dalin nga shtëpia e të shkojnë te qendra e votimit, e të futen në radhe e të mbajnë radhën e kur tu vijë fleta e votimit aty të shënojnë me laps “Bashkë fitojmë me Like Floririn”, këta nuk janë të djathtë, këta nuk kanë lidhje me të djathtën dhe më e keqja akoma, këta s’kanë lidhje fare me ata stërgjyshërit e gjyshërit që u sakatuan, u pushkatuan, u burgosën, u syrgjynosën nga komunizmi pikërisht sepse donin perëndimin”, tha Rama.

“Se për çfarë ishin kundër ata? Ku ishte kundërshtia e atyre që i pati halë në sy komunizmi këtu në Mirditë. Kundërshtia ishte se nuk donin me Moskën, donin me Perëndimin, donin me Amerikën dhe ata sot nuk jetojnë më, janë nderi i Mirditës, i historisë së saj për qëndrimet dhe për rezistencën e tyre. Përjashtoj këtu kë ka bashkëpunuar drejtpërdrejtë me fashizmin kuptohet, po flas për nacionalistët dhe ata do rrotullohen 7 herë në varr kur t’iu shkojë fjala që ata stërnipërit e stërmbesat, apo nipërit dhe mbesat e tyre kanë vajtur dhe votën e lirë për të cilën ata u vranë e kanë përdorur për Like Floririn dhe e kanë përdorur për SaLiken që është një individ i padëshirueshëm për SHBA dhe për BE, se BE nuk e ka mekanizmin ashtu, por derën ia ka mbyllur dhe nuk ka shans të takojë asnjeri, e keni parë të takojë njeri? I takon njeri këta?”, u shpreh Rama.

“Drejtësia vonon, thotë populli, por nuk harron. Unë po ju them, drejtësia këtu në Shqipëri ka vonuar sa ia ka plasur shpirtin të gjithëve, por çdo ditë që kalon e ka një shans më pak të harrojë, kështu që të jeni të sigurt për këtë. Dhe të gjitha këto besoj vlejnë për të kuptuar, që mirë, çfarë do dalin të votojmë për ata? Se duhet të më japin një arsye. Një të vetme.  “Do luftoj korrupsionin”, thotë Likja. Ore jeni në vete apo jo? A e kuptoni kur thotë Like Floriri do luftojë korrupsionin apo jo? A jeni në vete apo jo? Kjo tregon që ruani ujësjellësit se erdhi ua mori tubat këtu. Se ujin harroje që e devijuan komplet. Do bëjnë transparencë, thotë Likja. Ça transparence? Likja do të shkojë të bëjë transparencë për ato kontot sa lart poshtë nëpër ato bankat e huaja të fshehta”, nënvizoi Rama.